Irani pritet të ekzekutojë sot protestuesin 26-vjeçar, Trump paralajmëron: Nëse e bëni do marrim masa shumë të forta

Bota

Irani pritet të ekzekutojë sot protestuesin 26-vjeçar, Trump

Një protestues iranian 26-vjeçar pritet të ekzekutohet sot për pjesëmarrjen e tij në mobilizimet antiqeveritare që kanë tronditur Iranin. Zhvillimi vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump u ka bërë thirrje hapur qytetarëve iranianë që “të vazhdojnë të protestojnë”, duke shprehur edhe mbështetje. Por kjo deklaratë ka shkaktuar reagime diplomatike nga Teherani.

Donald Trump, i pyetur në një intervistë për CBS lidhur me ekzekutimin e të riut, paralajmëroi masa shumë të ashpra nëse dënimi me vdekje do të zbatohet.

“Do të marrim masa shumë të forta. Nëse bëjnë diçka të tillë, do të reagojmë me masa shumë të forta”, u shpreh ai, duke shtuar se, për të ilustruar qëndrimin e tij, i referohej operacioneve të mëparshme të SHBA-së, përfshirë ndërhyrjen në Venezuelë dhe eliminimin e ish-kreut të Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, në vitin 2019.

“Nuk duam të shohim atë që po ndodh në Iran. Është një gjë kur njerëzit protestojnë, por është tjetër kur fillojnë të vriten mijëra persona. Tani po më flisni për varje. Do të shohim si do t’u dalë kjo. Nuk do t’u dalë për mirë”, shtoi ai.

Sipas organizatës norvegjeze për të drejtat e njeriut Hengaw, Erfán Soltani, nga qyteti Fardis në perëndim të Teheranit, pritet të ekzekutohet më vonë gjatë ditës. Ai ishte arrestuar në lidhje me protestat në qytetin Karaj.

Familja e Soltanit thuhet gjithashtu se është kërcënuar me arrestim nëse përpiqet të flasë publikisht për çështjen ose të kontaktojë median, sipas Iranwire.

Trump: “Vazhdoni të protestoni, ndihma është duke ardhur”

Donald Trump, në një postim në platformën Truth Social, u bëri thirrje protestuesve iranianë të “vazhdojnë të protestojnë”, duke paralajmëruar se “vrasësit dhe abuzuesit do të paguajnë një çmim të lartë”, megjithatë, pa specifikuar se çfarë forme mund të marrë ndihma e premtuar.

Kërcënimet e reja të Trump pak para varjes së protestuesit të parë në Iran: Do të marrim masa shumë të ashpra nëse e bëni

Në një intervistë me CBS News, presidenti amerikan tha se do të ndërmerrte “masa shumë të forta” nëse regjimi iranian do të vazhdonte me varjen e protestuesve. Në të njëjtën kohë, SHBA-të u bënë thirrje qytetarëve të saj të “largohen menjëherë nga Irani”, mundësisht nëpërmjet Turqisë ose Armenisë, ndërsa J.D. Vance thirri një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në të cilin mori pjesë edhe Trump.

Kontaktet sekrete dhe proceset politike

I dërguari special i Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, thuhet se është takuar fshehurazi gjatë fundjavës me ish-princin e kurorës së Iranit në mërgim, Reza Pahlavi, i cili po përpiqet të shfaqet si një figurë qendrore në opozitë pas shpërthimit të protestave.

Në të njëjtën kohë, diplomacia iraniane nisi një sulm të ashpër ndaj Trump, me një letër nga përfaqësuesi i përhershëm i Iranit në OKB, Amir Saeed Iravani, drejtuar Këshillit të Sigurimit. Në letrën, e cila iu nda edhe Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres, Iravani akuzon presidentin amerikan për “inkurajim të hapur të destabilizimit politik”, “nxitje të dhunës” dhe “një kërcënim të drejtpërdrejtë për sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të Republikës Islamike”.

Sipas Teheranit, “Shtetet e Bashkuara dhe regjimi izraelit mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe të pamohueshme ligjore për humbjen e jetës së civilëve të pafajshëm, veçanërisht të rinjve”.

Mbi 2,000 të vdekur në 17 ditë

Kostoja njerëzore e shtypjes është e rëndë. Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) raporton se ka konfirmuar të paktën 2,403 vdekje në 17 ditë, përfshirë 1,850 protestues, 135 individë të lidhur me qeverinë, nëntë civilë pa lidhje dhe nëntë fëmijë, pavarësisht një ndërprerjeje pothuajse të plotë të internetit.

Një zyrtar iranian i konfirmoi Reuters se numri i të vdekurve kishte arritur në 2,000, por ia atribuoi viktimat “terroristëve”. Në të njëjtën kohë, organizata norvegjeze për të drejtat e njeriut në Iran raporton të paktën 734 protestues të vdekur.

Protestat janë përhapur në rreth 180 qytete dhe qyteza dhe 31 provinca të vendit, duke përbërë, sipas analistëve, sfidën më serioze për regjimin teokratik iranian që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

 

ME TE LEXUARAT