Hamasi liron 4 ushtare izraelite në këmbim të 200 të burgosurve palestinezë

Hamasi ia dorëzoi të shtunën Izraelit katër ushtaret izraelite të mbajtura rob në Gazë. Ndërkohë, Izraeli i liroi 200 të burgosur ose të paraburgosur palestinezë siç është paraparë në marrëveshjen e tyre për armëpushim në Rripin e Gazës.
Militantët e Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – së pari i parakaluan ato nëpër “Sheshin Palestinez” në qendër të qytetit Gaza, para se t’i dorëzonin te Kryqi i Kuq, i cili i dërgoi ato më pas në Izrael.
Egjipti shërbeu si ndërmjetës kyç në bisedimet mbi njëvjeçare që çuan në marrëveshjen e armëpushimit.
Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, e publikoi më vonë një video që shfaqte pengjet e liruara duke u mirëpritur në një bazë ushtarake izraelite.
Më vonë, zyra e Netanyahu tha se Arbel Yehoud, një penge civile e mbajtur nga Hamasi, duhej të ishte liruar të shtunën. Ajo deklaroi se Izraeli nuk do t’i lejojë palestinezët të fillojnë të kthehen në veri të Gazës, siç pritej të ndodhte të dielën, derisa ajo të lirohet.
Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se grupi ka njoftuar ndërmjetësit se Yehoud do të lirohet javën e ardhshme.
Armëpushimi mes Hamasit dhe Izraelit ka synon t’i japë fund luftës më vdekjeprurëse dhe shkatërruese që është zhvilluar ndonjëherë midis tyre. Marrëveshja e brishtë nuk është shkelur deri më tani, dhe ka bërë që të ndalen sulmet ajrore dhe raketore dhe ka mundësuar hyrjen e më shumë ndihmave në territorin e vogël bregdetar.
Tri pengje të mbajtura nga militantët u liruan në këmbim të 90 të burgosurve palestinezë, të gjithë gra dhe fëmijë, fundjavën e kaluar kur hyri në fuqi armëpushimi.


