GPS në dorezë kirurgjikale dhe telefona të fikur/ Si u organizua vrasja e mafiozit grek

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për ekzekutimin e mafiozit grek Giorgos Moschouris në zonën e Halandrit, ndërsa autoritetet greke kanë rindërtuar lëvizjet e grupit të dyshuar për atentatin.
Në fokus të hetimeve është një pajisje GPS e fshehur brenda një doreze kirurgjikale, e cila sipas hetuesve mund të përmbajë prova të rëndësishme për aktivitetin e grupit kriminal dhe objektiva të tjerë të mundshëm.
Autoritetet dyshojnë se anëtarët e grupit përdornin metoda të sofistikuara për të shmangur gjurmimin.
Njëri prej të arrestuarve kishte me vete pesë telefona celularë të vendosur në “airplane mode”, si dhe dy routerë portativë për të shmangur lokalizimin.
Sipas mediave greke, pajisja GPS ishte fshehur në një dorezë kirurgjikale për të shmangur gjurmët e gishtave dhe ADN-në.
Në dosjen hetimore përfshihet edhe një bisedë e përgjuar e njërit prej të dyshuarve, i cili thuhet se ka deklaruar: “Po, jam vrasës dhe hajdut, kam bërë çdo të keqe”.
Hetuesit grekë kishin më shumë se një vit që monitoronin lëvizjet dhe komunikimet e të dyshuarve.
Nga analizimi i kamerave të sigurisë dhe provave të mbledhura, autoritetet arritën të rindërtonin itinerarin e autorëve, të cilët dyshohet se kishin hyrë në Greqi nga jashtë dhe përdornin automjete operative duke ndryshuar vazhdimisht pamjen për të shmangur identifikimin.
Pas atentatit, autorët dyshohet se dogjën automjetet e përdorura dhe u larguan nga Greqia.
Për ngjarjen janë arrestuar katër persona, mes tyre dy shtetas me origjinë shqiptare, Dhionis Kokoni dhe një person me mbiemrin Jupe, si dhe dy shtetas grekë, Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në organizimin dhe ekzekutimin e atentatit.


