Gen Z udhëheq protestën më të madhe në Bullgari në 30 vitet e fundit

Dhjetëra mijëra njerëz, mes tyre shumë të rinj të brezit Gen Z, dolën në rrugë në Sofje dhe qytete të tjera të Bullgarisë në protestat më të mëdha të tre dekadave të fundit. Vetëm para parlamentit në kryeqytet, mediat raportuan deri në 50 mijë protestues.
Protestat u nxitën nga projekt-buxheti i vitit 2026, i cili parashikonte rritje taksash dhe kontributesh, duke shtuar pakënaqësinë në vendin më të varfër të Bashkimit Europian. Demonstruesit e lidhën buxhetin me korrupsionin e vazhdueshëm dhe kërkuan ndryshim të qeverisë.
Nëpër rrugë u panë pankarta si “Generation Z is coming” dhe “Bullgaria pa mafian”, duke treguar rolin e fuqishëm të të rinjve në këtë lëvizje.
Nën presionin e protestave masive, qeveria njoftoi tërheqjen e projekt-buxhetit, një hap që shumë e panë si fitore të qytetarëve dhe sinjal të pakënaqësisë së thellë publike.
Këto demonstrata konsiderohen si më të mëdhatë në Bullgari që nga vitet ’90 dhe tregojnë një mobilizim të ri politik në vend.


