"Futbollistët paguanin dhe ne merrnim gjysmën”, eskorta rrëfen si organizoheshin festat e fshehta në Serie A
Në Itali po hetohet një skandal i rëndë ku dyshohet se futbollistë profesionistë dhe persona të njohur kanë marrë pjesë në festa të organizuara me eskorta dhe përdorim të lëndëve të ndaluara.
Sipas një dëshmie të bërë publike nga një ish-punonjëse e përfshirë në strukturën që organizonte këto aktivitete, pas ngjarjeve fshihej një rrjet i mirëorganizuar kriminal, i drejtuar nga disa menaxherë lokalesh në zonën e Milanos.
Ajo ka deklaruar se aktivitetet vijonin edhe gjatë periudhës së kufizimeve për shkak të pandemisë Covid-19, duke u organizuar pothuajse çdo ditë në ambiente private dhe klube nate, ku dyshohet se vajza të reja ofronin shërbime të paligjshme kundrejt pagesës.
Hetimet e autoriteteve italiane kanë çuar në arrest shtëpie për disa persona të dyshuar si organizatorë të rrjetit, të cilët përmes një agjencie në Milano dyshohet se përfitonin të ardhura të konsiderueshme nga këto aktivitete.

