Forcat ruse shkatërrojnë depon e naftës në Luhansk

Është shënuar dita e 36-të e luftës Rusi-Ukrainë, me shpërthime të shumta që vazhdojnë ende, miliona që po i largohen agresionit rus pavarësisht përpjekjeve të shumta për të arritur një marrëveshje paqeje.
Sipas informacioneve zyrtare në Ukrainë, forcat ruse kanë shkatërruar një depo nafte në rajonin lindor të Ukrainës, Luhansk.
Kreu i administratës shtetërore rajonale të Luhanskut ka publikuar disa foto të cilat tregojnë pasojat e granatimeve të vendit në Lysychansk.
Kjo është një përmbledhje e zhvillimeve kryesore më të fundit të pushtimit rus ndaj Ukrainës, teksa lufta ka hyrë në muajin e dytë.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se trupat e tij po përgatiten për një ofensivë të përtërirë ruse në Ukrainën lindore.
Ai shprehu skepticizëm mbi pretendimet ruse se do të de-përshkallëzonte luftimet në qytetet kryesore të Ukrainës, duke e quajtur atë si pararendës të “sulmeve të reja” në rajonin separatist lindor të Donbasit.
Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi një armëpushim në qytetin port të rrethuar të Mariupolit të enjten në mëngjes. Evakuimi i suksesshëm i civilëve ende nuk është parë, pasi përpjekjet e mëparshme për armëpushim kanë dështuar.
SHBA dhe Britania e Madhe thonë se ka tensione midis Vladimir Putin dhe gjeneralëve të tij, sepse presidenti rus ndihet i “mashtruar” prej tyre.
Rubla ruse është rikthyer afërsisht në nivelin që ishte kur filloi lufta në Ukrainë, pasi Moska zbatoi masa të rrepta financiare për të fryrë rublën, duke përfshirë rritjen e normave të interesit në 20% dhe futjen e kontrolleve të kapitalit ndaj rusëve, që shpresojnë të këmbejnë monedhën e tyre kombëtare me dollarë ose euro.
Bisedimet e paqes midis Rusisë dhe Ukrainës do të fillojnë sërish online këtë të premte, tha negociatori ukrainas David Arakhamia.


