Çfarë po ndodh në Itali,? Zarf me plumba dhe kërcënime ndaj Ministrit të Arsimit

Një zarf që përmbante një plumb dhe një letër me mesazhe kërcënuese është dërguar në Ministrinë e Arsimit të Italisë, në adresë të ministrit Giuseppe Valditara.
Zarfi është dorëzuar në ministri gjatë ditëve të fundit, ndërsa më 16 shtator ngjarja është denoncuar pranë Karabinierëve. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave.
Pas publikimit të rastit, ministri Valditara ka marrë mesazhe solidariteti nga drejtues të lartë të qeverisë dhe politikës italiane.
Kryeministrja Giorgia Meloni shprehu solidaritetin e saj dhe të qeverisë me ministrin, duke deklaruar se kërcënime të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.
Edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, shprehu mbështetjen për Valditarën, duke theksuar se ai “nuk do të frikësohet” dhe se puna e qeverisë do të vijojë pavarësisht kërcënimeve.
Solidariteti ndaj ministrit erdhi edhe nga ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, i cili e cilësoi ngjarjen një akt të papranueshëm frikësimi.
Presidenti i Dhomës së Deputetëve, Lorenzo Fontana, dhe presidenti i Senatit, Ignazio La Russa, shprehën gjithashtu mbështetjen e tyre për ministrin.
La Russa deklaroi se shpreson që autorët e kërcënimit të identifikohen sa më shpejt nga autoritetet kompetente.


