Ekzekutoi 8 të afërmit dhe u do'gji trupat, zbardhet ngjarja me 4 fëmijë të vr'arë në SHBA

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Billings, Montana,SHBA, ku një 44-vjeçar vrau tetë anëtarë të familjes së tij, përfshirë katër fëmijë, dhe më pas i vuri flakën shtëpisë.
Policia mbërriti në banesë, pasi kishte marrë njoftimin për të shtëna. Forcat e rendit dëgjuan të shtëna që vinin nga pjesa e pasme e shtëpisë, e cila pak më vonë u përfshi plotësisht nga flakët.
I dyshuari, Alan Smith, kishte jetuar me prindërit e tij në këtë banesë, por sipas familjarëve, ata i kishin kërkuar të largohej disa javë më parë. Megjithatë, ai u kthye të dielën, në momentin kur familja ishte mbledhur për darkën e përjavshme.
Mes viktimave ishin prindërit e Smith, gjyshja, motra e tij, si dhe ish-gruaja e Brad Ireland, Megan Ghekiere, dhe katër fëmijët. Viktimat përfshinin katër breza të së njëjtës familje, nga një stërgjyshe në të 90-at, e cila përdorte karrocë me rrota, deri te një vajzë vetëm 7 vjeçe.
Hetuesit konfirmuan tetë viktima dhe thanë se Smith kishte qëlluar edhe veten. Zjarri shkatërroi plotësisht banesën, duke e bërë të vështirë punën e hetuesve.
Zjarrfikësit vijuan përpjekjet për shuarjen e flakëve deri rreth orës 01:00 të mëngjesit të së hënës.
Mes viktimave ishin Owen Ireland, 13 vjeç, Chloe Ireland, 7 vjeç, si dhe Landon Ghekiere, 15 vjeç dhe Charlotte Ghekiere, 12 vjeç.
Familjarët e përshkruan Charlotte si një heroinë, pasi ajo telefonoi 911 dhe u përpoq të kërkonte ndihmë për familjen e saj. Familja kishte origjinën nga zona e Seattle-it dhe ishte zhvendosur në Montana disa vite më parë.
Alan Smith kishte jetuar me prindërit e tij për vite me radhë, ndërsa familjarët thanë se ai ishte një person i izoluar, që kalonte pjesën më të madhe të kohës në dhomën e tij përpara kompjuterit.
Sipas Brad Ireland, kishte pasur shenja paralajmëruese dhe persona që kishin shprehur shqetësim për sjelljen e Smith, por askush nuk kishte ndërhyrë.
Bashkëshorti i Megan Ghekiere, Adam Ghekiere, ndodhej në punë kur ndodhi sulmi. Ai mësoi për të shtënat përmes radios dhe u përpoq të kontaktonte me familjarët. Kur mbërriti në shtëpi, ajo ishte përfshirë nga flakët.
Dy orë më vonë, ai mori konfirmimin se gruaja dhe fëmijët e tij kishin humbur jetën. Sipas tij, vajza e tij Charlotte kishte telefonuar 911 nga brenda banesës.
“E dëgjoj vazhdimisht duke përsëritur frazën që thoshte çdo herë: ‘Të dua’, dhe ajo përgjigjej: ‘Të dua më shumë’”, rrëfeu Ghekiere.


