E saksionuar nga SHBA, piratët e armatosur rrëmbejnë cisternën e naftës të lidhur me Iranin

Uashingtoni vendosi sanksione ndaj cisternës në dhjetor, duke pretenduar se i përkiste të ashtuquajturës flotë në hije, e cila përdoret për të shmangur kufizimet ndaj eksporteve iraniane të naftës
Një cisternë nafte, e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara nën akuza se transporton produkte të naftës iraniane, është rrëmbyer afër brigjeve të Jemenit dhe është nisur drejt Somalisë. Kjo ngjarje është treguesi i fundit i rishfaqjes së piratëve në Somali.
Gjashtë individë të armatosur hipën në kuvertën e Sibu 1, anijes me flamur të Eritresë, më 20 gusht, tha monitoruesi britanik i sigurisë detare, Operacionet Tregtare Detare (UKMTO).
Sipas të dhënave të Byrosë Ndërkombëtare Detare dhe raporteve të UKMTO-së, Sibu 1 është të paktën anija e 13-të e sulmuar këtë vit në brigjet e Somalisë ose në Gjirin e Adenit.
Kjo shifër paraqet rritje krahasuar me vitin paraprak, kur ishin regjistruar gjithsej pesë sulme.
Pirateria somaleze, e cila shkaktoi qindra sulme nga viti 2008 deri më 2014, përpara se të vihej kryesisht nën kontroll pas një reagimi ndërkombëtar detar, është rishfaqur ndërsa burimet e sigurisë po angazhohen gjithnjë e më shumë në zona të tjera.
Ekspertët thonë se çmimet më të larta të naftës dhe zhvendosja e mjeteve detare për t’iu kundërvënë Iranit dhe rebelëve Huthi të Jemenit mund të kenë krijuar mundësi të reja për piratët.


