E rëndë në Itali/ Po shoqëronte vajzën për në shkollë, 42-vjeçarja shqiptare përplaset për vdekje nga kamioni (EMRI)

Bota

E rëndë në Itali/ Po shoqëronte vajzën për në

Një ngjarje tragjike ka ndodhur mëngjesin e së premtes në San Donà di Piave, pranë Venecias, ku një 42-vjeçare shqiptare humbi jetën pasi u përplas nga një kamion i mbledhjes së plehrave, ndërsa po shoqëronte vajzën e saj 9-vjeçare për në shkollë.

Viktima është Lavdije Isteri nga Durrësi, nënë e tre fëmijëve. Aksidenti ndodhi pak para orës 08:00, në kryqëzimin e rrugëve Passarella dhe Paolo VI. Sipas mediave italiane, kamioni po kthente djathtas drejt një rruge dytësore kur goditi 42-vjeçaren, e cila humbi jetën në vend.

Skena e rëndë u zhvillua para syve të vajzës së saj 9-vjeçare. Sipas dëshmitarëve, e mitura ndodhej disa metra përpara nënës dhe kishte kaluar tashmë rrugicën, çka bëri që të mos përfshihej në aksident.

Menjëherë në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës dhe zjarrfikësit, të cilët përdorën një vinç për të ngritur kamionin në përpjekje për të nxjerrë gruan, por për të nuk mund të bëhej më asgjë.

"Po i shoqëroja fëmijët e mi në shkollë kur pashë shumë nëna që vrapuan drejt fundit të rrugës. Kur mbërritëm, pamë tragjedinë. Fatmirësisht, vajza ishte pak më përpara nënës dhe e kishte kaluar rrugicën", tha një nënë që ndodhej pranë shkollës.

Ngjarja ka tronditur të gjithë komunitetin. Në shkollën fillore "Marco Polo", nxënësit nuk dolën në pushimin e madh, ndërsa prindërit u larguan të tronditur pas përfundimit të mësimit.

Shoferi i kamionit është në gjendje shoku. Policia lokale ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit, ndërsa ngjarja ka rikthyer në vëmendjen e mediave italiane çështjen e sigurisë së mjeteve të rënda që qarkullojnë në zonat urbane dhe rrezikun që krijojnë këndet e vdekura të shikimit gjatë manovrave.

Sipas mediave italiane, kamioni ishte një model më i vjetër, i pajisur me pasqyra shtesë, por pa sistemet më moderne të sigurisë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion