Detaje të reja nga vrasja e 27-vjeçarit shqiptar në Mykonos, çfarë ka zbuluar Policia?

Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi vrasjen e 27-vjeçarit Altin Hoxhaj në Mykonos të Greqisë.
Mediat greke bëjnë me dije se sipas policisë se viktima dhe njëri prej autorëve, në të kaluarën kishin marrë me qira një banesë së bashku, por 29-vjeçari nuk ishte korrekt me pagesat, çka i kishte çuar të dy ish shokët të debatojnë shpesh mes tyre. Në vazhdim viktima Hoxhaj ishte larguar nga banesa por sërish kishin vazhduar mosmarrëveshjet mes tyre.
Ditën që ndodhi krimi, të dy kishin debatuar në telefon, dhe në vazhdim kishin lënë një pikë takimi ku do të sqaronin nga afër çështjen mes tyre.
Në këtë pikë, autori së bashku me 4 persona të tjerë të moshës nga 22 deri 29 vjeç kapën në befasi viktimën.
Mes sherrit 29 vjeçari e goditi me thikë dhe sende të forta, duke i marrë atij jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua thika dhe shkopinjtë me të cilat u godit viktima, si dhe celularët e autorëve dhe viktimës.
Policia tha se trupi i viktimës do të dërgohet për ekzaminim të mëtejshëm mjeko ligjor ndërsa 5 të arrestuarit do të dërgohen në gjykatën e Sirosit për masë sigurie.


