Danimarka mban nën vëzhgim anijen kineze, dyshohet për sabotimin në Detin Baltik

Bota

Danimarka mban nën vëzhgim anijen kineze, dyshohet për sabotimin

Komanda e mbrojtjes e Danimarkës tha se është “e pranishme” në zonën afër anijes së mallrave kineze, Yi Peng 3, që u ankorua afër brigjeve të Danimarkës.

Kjo anije dyshohet se u përfshi në dëmtimin që ndodhi së fundi të kabllove të komunikimit me fibra optike në Detin Baltik.

Dyshimet janë rritur nga kryeqendrat perëndimore që thonë se dëmtimi i dy kabllove kyçë në Detin Baltik me gjasë ishin rezultat i veprimeve të qëllimshme.

Anija kineze, që raportohet se drejtohet nga një oficer detar rus, po lundronte nga porti rus Ust-Luga. Dyshohet se anija ka udhëtuar mbi zonën në Baltik ku gjendeshin kabllot që lidhnin Suedinë dhe Lituaninë.

Qeveritë evropiane dhe Uashingtoni nuk e kanë lidhur drejtpërdrejtë Moskën për këtë dëmtim, por ata e kanë akuzuar Rusinë për orkestrimin e “sulmeve hibride” ndaj infrastrukturës perëndimore për të ndëshkuar shtetet evropiane për ndihmën dhe mbështetjen që i ofrojnë ushtrisë ukrainase, e cila po lufton me forcat pushtuese ruse.

Disa analistë thanë se anija mund të ketë dëmtuar kabllotë kur ka qenë duke u ankoruar.

“Mbrojtja daneze mund të konfirmojë se ne jemi të pranishëm në zonën afër anijes kineze, Yi Peng 3”, tha Komanda e Mbrojtjes e Danimarkës përmes një postimi në X.

Aleatët e Ukrainës në incidentet e kaluara kishte akuzuar Moskën për sabotim, veçmas pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Autoritetet e shteteve të Baltikut po hetojnë për këputjen e kabllove – kablloja e dytë lidh Finlandën dhe Gjermaninë – pas incidenteve të ngjashme që kanë ndodhur në det në vitet e fundit.

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion