Covid-19 ndryshon çdo gjë, tani mund të “futemi” në muze nga telefoni

Një tjetër ndryshim ka sjellë Covid-19 në jetën tonë. Së fundmi, muzeu i Louvrit për shkak të mungesës së vizitorëve në këto kohë të vështira pandemie, ka vendosur të gjithë koleksionin e tij të artit në internet. Mësohet se 480,000 mijë vepra arti janë tashmë në dispozicion të publikut, në çdo kohë dhe falas.
Veprat më të famshme botërore si “Mona Lisa” dhe “Venus de Milo”, mund të adhurohen tashmë nga të gjithë artdashësit, pa kushte. “Për herë të parë, çdokush mund të shoh të gjithë koleksionin tonë, nga kompjuteri ose smartphone, falas. Tani jeni vetëm një klik larg”, tha Drejtori i Louvrit Jean-Luc Martinez.
Muzeu më i famshëm dhe më i madh në botë, Louvri, ka qëndruar i mbyllur gjatë valës së parë të pandemisë dhe është hapur për një kohë të shkurtër gjatë verës. Aktualisht po qëndron i mbyllur për vizitorët për shkak te numrit të lartë të infektimeve dhe viktimave që po përballet Franca.


