Britania rrit presionin ndaj Rusisë/ Burnham në Kiev: Nuk do të tërhiqemi

Kryeministri britanik Andy Burnham ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar do të vijojë presionin ndaj Rusisë dhe mbështetjen ushtarake për Ukrainën, pavarësisht paralajmërimeve të ashpra të Moskës.
Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Ukrainë si kryeministër, Burnham u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe drejtoi takimin e parë të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, të krijuar nga Britania e Madhe dhe Franca për mbështetjen e Kievit.
Burnham tha se aleatët duhet të “bëjnë gjithçka që munden” për të forcuar Ukrainën, ndërsa i bëri thirrje edhe Shteteve të Bashkuara të shtojnë presionin ekonomik ndaj Moskës.
“Ky është momenti për të vazhduar presionin mbi Rusinë, momenti për të shtrydhur aftësinë e tyre për të financuar këtë luftë të paligjshme”, deklaroi ai.
Një nga vendimet më të rëndësishme gjatë vizitës lidhet me raketat Scalp. Qeveria britanike pritet të lejojë kompaninë MBDA të deklasifikojë informacionin mbi komponentët e prodhuar në Britani për këtë raketë, duke i dhënë Ukrainës mundësinë për të prodhuar armë të tilla në territorin e saj.
Scalp është versioni francez i raketës Storm Shadow dhe është një armë me rreze të gjatë veprimi, e projektuar për goditjen e objektivave të paracaktuara. Vendimi britanik shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të Ukrainës për prodhimin vendas të armëve.
Por njoftimi ka shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Moska. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, akuzoi Britaninë se po “hedh benzinë në zjarr” dhe deklaroi se ushtria ruse po mbledh të dhëna për të identifikuar objektet ku mund të prodhohen raketat, me synimin për t’i shkatërruar.
Përballë këtyre kërcënimeve, Burnham u përgjigj me një pyetje të drejtpërdrejtë: “Kush e nisi zjarrin? Kjo është pyetja, apo jo?”
Në fokus të takimeve në Kiev ishte edhe mbrojtja ajrore. Zelensky ka kërkuar më shumë raketa Patriot për të përballuar sulmet ruse, ndërsa Ukraina ka deklaruar se ka nevojë për qindra interceptorë të rinj. Burnham u bëri thirrje vendeve aleate të përdorin rezervat e tyre të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar Ukrainën.
Vizita e kryeministrit britanik vjen pas përshkallëzimit të sulmeve ruse në Ukrainë, përfshirë një sulm të fundit ndaj një qendre tregtare ku mbetën të vrarë të paktën 16 persona.
Gjatë qëndrimit në Kiev, Burnham vendosi lule në varret e ushtarëve ukrainas në Varrezat Kombëtare Memoriale Ushtarake. Ai gjithashtu mori nga Zelensky një çmim në emër të popullit britanik, në shenjë vlerësimi për mbështetjen që Londra i ka dhënë Ukrainës.
Në prag të vizitës, Burnham kishte deklaruar se në 35-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, Kievi nuk duhet të ketë asnjë dyshim për qëndrimin e Londrës.
“Mbështetja jonë nuk do të zbehet”, tha ai, duke shtuar se Britania do të qëndrojë përkrah Ukrainës “për aq kohë sa të duhet”.
“Rusia nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë tonë. Ne nuk do të tërhiqemi derisa të ketë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, deklaroi kryeministri britanik.
Ndërkohë, Moska ka paralajmëruar gjithashtu pasoja për përdorimin nga Ukraina të dronëve britanikë në sulmet ndaj objektivave në territorin rus. Kievi ka intensifikuar sulmet me rreze të gjatë, duke goditur ndër të tjera rafineri nafte dhe objekte të infrastrukturës në disa rajone ruse.
Për Britaninë, mbështetja ndaj Ukrainës mbetet pjesë e strategjisë për dobësimin e aftësisë së Rusisë për të financuar dhe zhvilluar luftën. Për Moskën, ndërhyrja e drejtpërdrejtë e vendeve perëndimore në furnizimin dhe prodhimin e armëve për Ukrainën përbën një përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit.


