Bllokada e Hormuzit nuk po u shërben palëve/ Rriten rezervat e naftës në Iran, SHBA ulen

Konflikti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bllokada e Ngushticës së Hormuzit nga Amerika, po thellon dëmin ekonomik për Iranin dhe bëhet fjalë për rënien e eksporteve të naftës, një prej hallkave më të forta ekonomike për vendin.
Nga rreth 2 milionë fuçi eksporti në ditë përpara vendosjes së bllokadës amerikane, shitja e naftës në tregun ndërkombëtar ka rënë në 300 fuçi. Si pasojë rezervat janë rritur. Nga rreth 147 milionë fuçi naftë bruto që aktualisht ndodhen të bllokuara në det, rreth 67 milionë fuçi mbeten të bllokuara në Gjirin Persik dhe në Gjirin e Omanit, përpara vijës së bllokadës.
Ndërkohë, sasitë që ndodhen tashmë përtej bllokadës kanë ardhur duke u zvogëluar vazhdimisht, pasi ngarkesat vazhdojnë të shkarkohen në Kinë, nga 127 milionë fuçi në momentin e vendosjes së bllokadës, në 80 milionë fuçi aktualisht.
Kompania e specializuar në lëndët e para energjetike Kelper, thotë se “Nëse bllokada vazhdon edhe për dy muaj të tjerë, Irani nuk do të ketë më naftë për t’i shitur Kinës”. Kjo situatë nuk favorizon as SHBA-të, për shkak të uljes së rezervave të naftës, ndërkohë që dhe presioni i aleatëve rajonalë, mund të çojë në “zbutje” të bllokadës.
Por ka edhe një surprizë pozitive për Evropën. Çmimet e naftës janë rritur (+50% që nga fundi i shkurtit, kur nisi konflikti), por problemet e frikësuara të furnizimit, veçanërisht për karburantin e avionëve, për të cilin Evropa varej rreth 50% nga Lindja e Mesme nuk janë materializuar.
Kontinenti i Vjetër ka kompensuar pjesën më të madhe të mungesës së karburantit për avionë nga Lindja e Mesme, e barabartë me rreth 400 mijë fuçi në ditë, falë rritjes së eksporteve amerikane (+140 mijë fuçi në ditë), furnizimeve nga kompania nigeriane Dangote (+40 mijë fuçi në ditë) dhe rritjes së prodhimit të rafinerive (+210 mijë fuçi në ditë).
“Skenari më i mundshëm”, vlerëson Kpler, “është një marrëveshje e kufizuar, në të cilën Irani mbështet rihapjen graduale të Ngushticës së Hormuzit në këmbim të heqjes së bllokadës detare amerikane dhe të disa lehtësimeve ekonomike të synuara, më shumë sesa një marrëveshje e gjerë bërthamore ose heqje të plotë të sanksioneve.


