Ndalen bisedimet SHBA-Iran, Trump anulon papritur udhëtimin e negociatorëve amerikanë

Donald Trump ka deklaruar se negociatorët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner nuk do të udhëtojnë më në Pakistan për bisedime me Iranin.
Sipas tij, një udhëtim 18-orësh nuk është i nevojshëm, pasi SHBA “i ka të gjitha kartat” në këtë konflikt dhe Irani mund të kontaktojë Uashingtonin kur të dëshirojë.
“U kam thënë njerëzve të mi pak kohë më parë se po bëheshin gati të niseshin dhe u thashë: ‘Jo, nuk do të bëni një fluturim 18-orësh për të shkuar atje.
Ne i kemi të gjitha kartat. Ata mund të na telefonojnë kur të duan, por ju nuk do të bëni më fluturime 18-orëshe për të ndenjur ulur e për të folur për asgjë’”, tha Trump.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, thuhet se është larguar tashmë nga Islamabadi i Pakistanit, pas bisedimeve të së shtunës me kryeministrin e vendit.


