Bill Gates nën akuzë, dëshmon me dyer të mbyllura në Kongres për lidhjet me Jeffrey Epstein (FOTO)

Bota

Bill Gates nën akuzë, dëshmon me dyer të mbyllura në

Bashkëthemeluesi i Microsoft-it, Bill Gates, po dëshmon sot me dyer të mbyllura para Komitetit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, pas publikimit të dokumenteve të reja të lidhura me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.

Seanca vjen në një kohë kur dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë kanë ngritur pikëpyetje të reja mbi natyrën e marrëdhënies mes Gates dhe Epstein, i dënuar për vepra seksuale dhe trafikim të të miturve.

Kryetari i Komitetit të Mbikëqyrjes, James Comer, deklaroi se Gates është paraqitur vullnetarisht për të dhënë dëshmi dhe se pyetjet do të fokusohen te njohuritë e tij mbi Epstein dhe rrethi i personave që e rrethonin.

“Ne nuk po e akuzojmë Bill Gates për ndonjë shkelje. Duam të dimë çfarë dinte dhe nëse ka parë apo dëgjuar gjëra që mund të ndihmojnë hetimin”, tha Comer.

Nga ana tjetër, demokrati Robert Garcia e cilësoi shqetësues faktin që Gates vazhdoi të mbante kontakte me Epstein edhe pas dënimit të tij në vitin 2008.

Ndër dokumentet e publikuara gjenden dy e-maile të vitit 2013, të cilat duket se janë shkruar nga vetë Epstein dhe janë ruajtur në llogarinë e tij personale.

Në këto shënime, Epstein pretendon se kishte ndihmuar Gates të siguronte medikamente për të fshehur një infeksion seksual nga bashkëshortja e tij dhe se kishte ndërmjetësuar takime me gra të ndryshme.

Megjithatë, autoritetet kanë theksuar se këto pretendime janë të paverifikuara dhe nuk ekziston asnjë provë që e-mailet janë dërguar ndonjëherë. Gjithashtu, Bill Gates nuk është akuzuar për asnjë vepër penale që lidhet me Jeffrey Epstein.

Përfaqësuesit e Gates i kanë cilësuar pretendimet si “absurde dhe krejtësisht të pavërteta”. Sipas tyre, dokumentet tregojnë vetëm përpjekjet e Epstein për të ruajtur ndikimin e tij mbi figura të njohura dhe për të dëmtuar reputacionin e Gates pas ndërprerjes së marrëdhënieve mes tyre.

Në një intervistë të mëparshme, Gates deklaroi se e-maili i përmendur “nuk është dërguar kurrë” dhe se përmbajtja e tij është e rreme.

“Çdo minutë që kam kaluar me Jeffrey Epstein e konsideroj gabim dhe e kam shprehur publikisht pendesën time”, është shprehur ai.

Sipas të dhënave të Departamentit të Drejtësisë, më shumë se 3 milionë faqe dokumentesh përmbajnë qindra referenca për Gates, përfshirë e-maile që lidhen me takime, darka, telefonata dhe përpjekje të Epstein për të organizuar kontakte me miliarderin amerikan.

Të gjitha ndërveprimet e dokumentuara kanë ndodhur pas dënimit të Epstein në vitin 2008. Mes tyre përmenden takime në SHBA dhe Norvegji, si edhe ftesa për të vizituar ishullin privat të Epstein, të cilën Gates ka deklaruar se nuk e ka pranuar kurrë.

Dëshmia e Bill Gates konsiderohet një nga paraqitjet më të rëndësishme para komitetit hetimor, ndërsa Kongresi amerikan vijon të shqyrtojë rrjetin e kontakteve dhe ndikimit që kishte Jeffrey Epstein para vdekjes së tij në vitin 2019.

Autoritetet synojnë të zbardhin nëse persona të tjerë me profil të lartë kishin dijeni për aktivitetet kriminale të financierit të ndjerë dhe nëse ka ende informacione të pazbuluara që mund të ndihmojnë drejtësinë dhe viktimat e tij.

ME TE LEXUARAT