Antiseptiku shkaktoi zjarr gjatë lindjes cezariane, nëna pëson djegie të rënda!

Një grua 24-vjeçare pësoi djegie të rënda gjatë një lindjeje cezariane në Pragë, pasi një lëng antiseptik i ndezshëm ra në kontakt me një instrument elektrokirurgjik dhe shkaktoi zjarr në sallën e operacionit. Ngjarja ndodhi më 25 gusht në Spitalin Universitar Bulovka, në veri të kryeqytetit çek. Sipas spitalit, foshnja nuk pësoi lëndime.
Zëdhënësja e spitalit, Eva Stoletzda Lybigerova, tha se ndërhyrja cezariane ishte kryer për shkak të komplikacioneve serioze gjinekologjike. Ajo konfirmoi se gjendja e nënës është aktualisht e qëndrueshme dhe se nuk ka nevojë për trajtim në terapi intensive.
Sipas mediave çeke, gruaja pësoi djegie në pjesën e poshtme të barkut, në kofshë, brinjë dhe në zonën gjenitale. Ajo ishte transferuar fillimisht në një spital tjetër të Pragës, i specializuar për trajtimin e djegieve të rënda, përpara se të rikthehej në Spitalin Bulovka.
Autoritetet e spitalit kanë nisur një hetim për incidentin, ndërsa ngjarja po konsiderohet si një komplikacion i rrallë i shkaktuar nga kontakti i një substance të ndezshme me pajisjet elektrokirurgjikale.
Spitali Universitar Bulovka është një nga institucionet më të mëdha universitare shëndetësore në Pragë. Ai ishte përfshirë edhe në një incident të rëndë në vitin 2024, kur një paciente iu nënshtrua gabimisht një procedure aborti pas një ngatërrimi mes dy pacienteve.


