Akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes për tradhti, shkarkohet gjenerali rus

Bota

Akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes për tradhti, shkarkohet gjenerali rus

Një komandant i lartë rus, Ivan Popov, thotë se u shkarkua nga posti i tij pas mosmarrëveshjeve me oficerët e lartë të ushtrisë ruse lidhur me situatën në Ukrainë. Një mospajtim i tillë publik brenda ushtrisë ruse është i pazakontë, pas pak më shumë se 500 ditë lufte në Ukrainë.

Ankesat e gjeneralmajorit Popov, të cilat u publikuan nga një ligjvënës i njohur rus më 12 korrik, sugjerojnë se po vazhdojnë mospajtimet edhe pas rebelimit të muajit të kaluar nga forcat mercenare Wagner dhe udhëheqësit të tyre, Yevgeny Prigozhinit.


Rebelimi, në të cilin rreth 5.000 ushtarë të Wagner-it u nisën drejt Moskës, zgjati rreth 24 orë. Por, ky rebelim u cilësua si sfida më e madhe për 23 vitet e Vladimir Putinit si figurë kyçe e Rusisë dhe shumë vëzhgues kanë parashikuar se Kremlini mund t’i largojë komandantët ushtarakë ose figurat politike nga postet e tyre shkaku i këtij incidenti.

Një oficer i njohur i ushtrisë, gjenerali Sergei Surovikin, i cili shërbeu për një kohë të shkurtër si komandant i përgjithshëm për luftën në Ukrainë dhe besohet të jetë një aleat i ngushtë i Prigozhinit, nuk është parë që nga rebelimi i 24 qershorit.

ME TE LEXUARAT