Akuzohet se ka vjedhur disa valixhe në aeroport, deputeti i ekstremit të djathtë përjashtohet nga Parlamenti

Një ligjvënës portugez i ekstremit të djathtë, akuzohet se ka vjedhur valixhet nga rripat e bagazheve në aeroportet e Lisbonës dhe Ponta Delgada, duke çuar në përjashtimin e tij nga grupi i tij parlamentar.
Në nisje të seancës parlamentare, kryetari i Kuvendit, José Pedro Aguiar-Branco, i kërkoi deputetit Miguel Arruda të ulet në rreshtin e fundit të gjysmërrethit, siç është praktikë për deputetët që nuk bëjnë pjesë në një grup parlamentar.
Mes mosmiratimeve të ish-kolegëve të tij në partinë Chega, deputeti 40-vjeçar vendosi të qëndrojë në Kuvend pavarësisht skandalit në të cilin dyshohet se është përfshirë, ndërsa kërkoi edhe heqjen e imunitetit të deputetit.
“Po më kryqëzojnë publikisht… por derisa të provohet fajësia, jam i pafajshëm”, tha deputeti i zgjedhur në Azores në televizionin TVI.
Sipas mediave të ndryshme lokale, policia e arrestoi atë të martën në aeroportin e Lisbonës dhe e akuzoi për vjedhje të bagazheve, disa prej të cilave iu gjetën në shtëpinë e tij.
“Përballë kësaj situate, si president i partisë…nuk mund ta lejoj të qëndrojë në këtë grup parlamentar ”, tha presidenti i Chega-s, Andre Ventura.
Sipas mediave, hetuesit kanë akses në pamjet e kamerave të sigurisë që tregojnë se deputeti merr çantat e pasagjerëve të tjerë dhe i çon në tualete për t’i futur në çantën e tij.
Ai u mbrojt duke thënë se mund të jenë imazhe të inteligjencës artificiale, ndërsa disa media raportuan se Arunda shiste sendet që mori nga valixhet që vodhi në një platformë për blerjen dhe shitjen e rrobave dhe sendeve të përdorura.


