Çahet tubacioni 110-vjeçar i ujit në Los Angeles, përmbytet Hollywoodi Perëndimor dhe mbyllen bizneset (VIDEO)

Një tubacion kryesor i ujësjellësit, i ndërtuar në vitin 1916 dhe i vendosur nën një nga bulevardet më të frekuentuara në zonën e West Hollywood, u ça mbrëmjen e së mërkurës, duke shkaktuar rrjedhje të mëdha uji, përmbytje në rrugë dhe bllokim të rëndë të trafikut.
Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një tubacion çeliku që është pjesë e rrjetit kryesor të furnizimit me ujë të Los Anxhelosit, duke transportuar ujin nga digat dhe rezervuarët drejt rrjetit të shpërndarjes në të gjithë qytetin. Ky segment ishte planifikuar të zëvendësohej në vitin 2031. Departamenti i Ujit dhe Energjisë i Los Anxhelosit kishte paralajmëruar që në vitin 2019 se rreth 29% e tubacioneve të qytetit ishin më të vjetra se 80 vjet, duke iu afruar fundit të jetëgjatësisë së tyre të parashikuar prej rreth 100 vitesh.
Autoritetet ende nuk kanë përcaktuar shkakun e çarjes së tubacionit. Sipas zyrtarëve lokalë, raste të tilla ndodhin shpesh gjatë natës, pasi konsumi i ujit bie dhe presioni në rrjet rritet ndjeshëm.
“Jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që kanë shkaktuar mbylljet e rrugëve dhe problemet në qarkullim. Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin, ndërsa ekipet tona po punojnë për të stabilizuar zonën, për të vlerësuar dëmet dhe për të nisur riparimet”, thuhet në deklaratën e autoriteteve.
Water Pipe blew up on Sunset Blvd (West Hollywood) and the entire street, all the way to Santa Monica Blvd, is flooded and covered in mud. ???????????? #westhollywood #sunsetblvd #flood pic.twitter.com/bZqGcgen4N
— Muse Love (@museramos) July 16, 2026
Përmbytja preku edhe Sunset Strip, një nga zonat më të njohura të West Hollywood, e mbushur me restorante, bare dhe dyqane. Si pasojë e dëmeve të shkaktuara nga uji, lokali i njohur Dialog Cafe njoftoi mbylljen e përkohshme, duke bërë të ditur se ende nuk dihet se kur do të rifillojë aktivitetin.


