Sulm ukrainas në depon e naftës në Rusi? Pretendimet e Moskës: 3 të vdekur

Bota

Sulm ukrainas në depon e naftës në Rusi? Pretendimet e

Zyrtarët e mbështetur nga Rusia në rajonin e uzurpuar lindor të Ukrainës, Luhansk, thonë se tre njerëz u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën si pasojë e një sulmi nga forcat ukrainase në një depo nafte në qytezën Rovenki mbrëmjen e 10 majit.

Radio Evropa e Lirë (REL) nuk ka mundur t’i vërtetojë në mënyrë të pavarur raportimet ruse, në të cilat citohen liderja separatiste rajonale, Natalia Pashchenko, dhe guvernatori i emëruar nga Moska, Leonid Pasechnik.

Ky ishte sulmi i dytë i raportuar në një depo nafte në Luhansk në tre ditët e fundit, për të cilat Pasechnik ka thënë se janë kryer me raketa me rreze të gjata veprimi, të njohura si ATACMS, me të cilat SHBA-ja e ka furnizuar Ukrainën, por ai ka dështuar të japë dëshmi për këtë.

Nga sulmi i mëparshëm në qytetin e Luhanskut u plagosën pesë persona.

Ndërkohë, guvernatori i rajonit jugperëndimor të Rusisë, Belgorod, Vyacheslav Gladkov tha më 11 maj se disa fshatra janë sulmuar nga forcat ukrainase, ku u dëmtuan dhjetëra shtëpi dhe u plagosën tetë njerëz.

Gladkov tha se pesë prej të plagosurve u dërguan në spital. Pesë fshatra mbetën pa rrymë.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se nëntë dronë dhe 21 raketa u rrëzuan mbi Belgorod dhe se shtatë dronë të tjerë u interceptuan mbi rajonet Kursk dhe Volgograd.

REL-i nuk ka mundur t’i konfirmojë në mënyrë të pavarur këto raportime./REL

 

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion