Vrasje në mes të Barcelonës gjatë vizitës së Papa Leonit XIV, qyteti në alarm

Bota

Vrasje në mes të Barcelonës gjatë vizitës së Papa

Një ngjarje e rëndë ka tronditur qendrën e Barcelonës të mërkurën (10 qershor), gjatë vizitës së Papa Leonit XIV, ku një burrë është qëlluar për vdekje pranë një stacioni policie.

Sipas raportimeve të mediave spanjolle, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 në rrugën Balmes, pranë Avenue Diagonal, në një zonë shumë të frekuentuar dhe afër një zyre të Policisë Kombëtare ku qytetarët kryejnë procedura administrative dhe dokumentacioni.

Autoritetet bëjnë me dije se viktima është qëlluar nga një person i armatosur, i cili më pas është larguar nga vendngjarja. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar autorin e dyshuar, i veshur me pantallona të shkurtra dhe duke mbajtur një helmetë biçiklete në dorë.

Menjëherë pas ngjarjes, zona është rrethuar nga forcat e Mossos d’Esquadra, me mbështetjen e Policisë Kombëtare, ndërsa në vendngjarje është vendosur edhe një mbulesë për trupin e viktimës. Më pas, trupi është tërhequr nga autoritetet.

Pak më vonë, policia ka gjetur armën e dyshuar të krimit të fshehur brenda një helmete nën një ulëse autobusi në sheshin Ga·la Placídia, në lagjen Gràcia. Deri tani, identiteti i viktimës nuk është bërë publik, ndërsa autori mbetet në arrati.

Autoritetet spanjolle theksojnë se ngjarja nuk ka lidhje me vizitën e Papa Leonit XIV dhe nuk ka ndikuar në masat e sigurisë të planifikuara për aktivitetin.

Ngjarja është dëshmuar nga disa persona që ndodheshin pranë zyrës së policisë në momentin e të shtënave, ndërsa një dëshmitar është shprehur i tronditur, duke e cilësuar skenën “të tmerrshme”.

Ky është rasti i dytë i vrasjes në Barcelonë brenda pak ditësh, duke rritur shqetësimet për rritjen e incidenteve me armë zjarri në qytet.

ME TE LEXUARAT