Sulm i përgjakshëm rus në Ukrainë, 16 të vrarë dhe mbi 35 të plagosur në qendrën paraburgimore

Një nga sulmet më të rënda të muajve të fundit në Ukrainë ka ndodhur gjatë natës në rajonin jugperëndimor të Zaporizhzhias, ku bombardimet ruse kanë shkaktuar të paktën 16 viktima dhe mbi 35 të plagosur në një qendër paraburgimi lokale.
Guvernatori i rajonit, Ivan Fedorov, njoftoi përmes një postimi në Telegram se godina e burgut u shkatërrua totalisht, ndërsa dhjetëra banesa private në afërsi pësuan dëme të mëdha. “Godina e institucionit penal u rrafshua dhe dhjetëra banesa private u dëmtuan rëndë nga sulmet,” theksoi Fedorov.
Autoritetet rajonale raportojnë gjithashtu viktima edhe në rajonin fqinj të Dnipropetrovsk, ku katër persona humbën jetën dhe të tjerë u plagosën gjatë sulmeve të vazhdueshme.
Guvernatori shtoi se forcat ruse kanë kryer tetë sulme ajrore në rrethin e Zaporizhzhias, duke përdorur bomba me shpërthim të fuqishëm që kanë shkaktuar shkatërrime masive dhe viktima në mesin e civilëve.
Që prej nisjes së pushtimit të plotë në Ukrainë në 2022, Zaporizhzhia ka qenë një nga objektivat kryesore të forcave ruse, të cilat vazhdojnë sulmet me dronë, raketa dhe bomba ajrore. Ky sulm i fundit përbën një nga episodet më tragjike të agresionit të vazhdueshëm në territorin ukrainas.


