Sulm brutal në tren në Sidnei, u kërkoi të ulnin zërin e muzikës, të rinjtë rrahin pasagjerin (VIDEO)

Bota

Sulm brutal në tren në Sidnei, u kërkoi të ulnin zërin

Një incident i rëndë është regjistruar gjatë fundjavës në një tren në Sidnei të Australisë, ku një grup të rinjsh sulmuan fizikisht një pasagjer pasi ai u kërkoi të ulnin volumin e muzikës që po dëgjonin.

Në videon e regjistruar pak para mesditës së së shtunës, shihen të rinjtë duke goditur me grushte burrin, ndërsa pasagjerët e tjerë ndjekin të tmerruar ngjarjen.

Sipas një dëshmitari që ndodhej në tren në momentin e incidentit, të rinjtë po konsumonin vodka dhe po dëgjonin muzikë me volum të lartë. Pasagjeri iu drejtua atyre në mënyrë të sjellshme duke u kërkuar të ulnin zërin, çka dyshohet se çoi në përshkallëzimin e konfliktit.

Pas publikimit të pamjeve dhe largimit të autorëve nga vendi i ngjarjes, policia ka nisur hetimet dhe po kërkon informacione për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Ndërkohë, kompania që administron rrjetin e transportit publik deklaroi se nuk toleron asnjë formë dhune në mjetet e transportit.

“Siguria e pasagjerëve dhe e stafit tonë është prioriteti ynë kryesor. Ne do të bashkëpunojmë plotësisht me policinë në çdo hetim”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale. Një komentues shkroi se “Sidnei është plot me adoleshentë si këta”, ndërsa një tjetër shprehu shpresën që prindërit e tyre ta shohin videon dhe të marrin masa. Të tjerë ngritën pyetjen se përse pasagjerët e pranishëm nuk ndërhynë për të ndihmuar viktimën.

 

ME TE LEXUARAT