Beqiri para gjykatës franceze : Korruptova shtetin, por asnjë nuk është në burg!

Aktualitet

Beqiri para gjykatës franceze : Korruptova shtetin, por asnjë nuk

Gjykata në Amiens të Francës ka rrëzuar kërkesën për lirimin nga burgu të biznesmenit shqiptar Ermal Beqiri, i cili do të qëndrojë në paraburgim në pritje të vendimit për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Beqiri u paraqit këtë të premte, më 23 tetor, në gjykatë, tri ditë pas shqyrtimit të kërkesës së tij për lirim. Autoritetet franceze pritet të vendosin nëse ai do t’u dorëzohet apo jo autoriteteve shqiptare.

Sipas gazetës franceze, biznesmeni, i cili banon në kështjellën e Auteuil, në Berneuil-en-Bray, në departamentin Oise, kundërshton ekstradimin. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit në Tiranë e dyshon si një nga personat e përfshirë në skandalin e AKSHI-t.

Gjatë seancës, gjykata shqyrtoi kërkesën për ekstradim në themel, pasi autoritetet shqiptare kishin dërguar dokumentacion shtesë, me kërkesë të bërë nga gjykata franceze në gusht.

Dokumentet përfshinin shkresa nga ministri i Drejtësisë, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, lidhur me garancitë ligjore.

Avokati mbrojtës, Nicolas Paganelli, kundërshtoi dokumentet e paraqitura, duke vënë në pikëpyetje besueshmërinë e tyre.

“Janë drafte, nuk është punë serioze. Ju nuk jeni shërbimi i asistencës pas shitjes për garanci diplomatike të paplota”, deklaroi ai.

Nga ana e tij, Ermal Beqiri pretendoi se çështja ndaj tij është politike dhe shprehu mosbesim ndaj drejtësisë shqiptare.

“Nëse kam korruptuar dikë, ai është shteti. Por nga kjo anë, askush nuk është në burg. Gjithsesi, këtu ka një problem. Kjo çështje është thjesht politike”, u shpreh biznesmeni.

Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme në Amiens kërkon që ekstradimi të kryhet, duke argumentuar se vlerësimi i sistemit gjyqësor shqiptar nuk është në kompetencën e dhomës së hetimeve.

“Po ju kërkohet të mbani një qëndrim për sistemin gjyqësor shqiptar, por kjo nuk është detyra e dhomës së hetimeve”, deklaroi prokurorja e përgjithshme.

Ajo kishte përmbledhur më herët çështjen me fjalët: “Në Shqipëri po zhvillohet një spastrim i madh i organizuar”.

Kujtojmë se Ermal Beqiri u arrestua pasi fluturoi me avionin e tij privat në një lartësi të ulët mbi centralin bërthamor Penly, midis Dieppe dhe Le Tréport të Francës. Përballë autoriteteve franceze, më 27 korrik, Beqiri ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij.

Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë, ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh. Edhe pse pritej që të lirohej pas përfundimit të kësaj procedure, Beqiri vijon të qëndrojë në burgun e Beauvais, pasi autoritetet shqiptare i kanë dërguar Francës një kërkesë për ekstradimin e tij.

Autoritetet franceze i kanë sekuestruar një kështjellë të shekullit të 16-të , gati 1 orë larg Parisit, llogari bankare me një vlerë prej më shumë se 2.1 milion euro, dy apartamente në jug të Francës, disa automjete, një jaht si dhe një avion të lehtë.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion