Ana tjetër e medaljes / Nënë e bir rrëfejnë përjetimet e tyre mbi protestën

Prej shtatë ditësh në Tiranë protestohet, ku përplasjet mes qytetarëve dhe policisë nuk kanë munguar.
Por përtej protestës ka dhe një anë njerëzore, fëmijë që protestojnë dhe prindër që presin me ankth.
Luiza dhe Emanueli, nënë e bir, kanë qenë të ftuar këtë të hënë në studion e “Takohemi n’Vizion” të moderatores Fjodora Fjora, për të treguar përjetimet e tyre në këtë protestë.
Pjesë nga biseda:
Emanueli, vetëm 17-vjeç, i cili vijon shkollën në gjimnazin “Asim Vokshi”, është bërë pjesë e protestës gjatë këtyre ditëve.
Emanueli ka treguar në studio se ka qenë pjesë e protestës që prej fillimit dhe se tashmë gjithçka ka eskaluar, pasi qytetarët nuk janë dëgjuar nga qeveria.
Ai ka rrëfyer momente të sikletshme gjatë protestës, ku edhe ka rrezikuar të shoqërohej nga policia.
Ndërkohë, e ftuar në studio, nëna e tij, Luiza, ka treguar se rri çdo mbrëmje me zemër të ngrirë për djalin, duke parë atë që po ndodh në rrugë.
Pjesë nga biseda:
Fjodora Fjora: Emanueli, vetëm 17-vjeç, ka vendosur t’i bashkohet protestës. Në cilin gjimnaz je?
Emanueli: Te “Asim Vokshi”.
Fjodora Fjora: Keni ikur të gjithë si shkollë?
Emanueli: Protesta është personale, secili prej nesh zgjedh nëse do të bëhet pjesë e protestës apo jo. Ne pikërisht këtë cikël duam të thyejmë, të bësh atë që nuk do të bësh. Nuk duam të vijojmë ciklin e atyre që nuk na përfaqësojnë më.
Fjodora Fjora: Ti ke dalë në protestë me vullnetin tënd?
Emanueli: Po, unë kam dalë në protestë kur ishte e qetë. Dua të them se jemi të njëjtët njerëz, ka eskaluar pak sepse nuk po respektohej e drejta jonë. Gjimnazistët të gjithë janë mobilizuar, e kanë bojkotuar mësimin. Edhe në rrethe kanë filluar ta bëjnë.
Fjodora Fjora: Është një protestë e studentëve, pse ti si gjimnazist?
Emanueli: Sepse unë nesër do të trokas te dera e universitetit. Më mirë të luftoj tani sa jam në kohë, sesa të pres si prindërit dhe gjyshërit e mi. Unë dua të marr fatin tim në dorën time.
Fjodora Fjora: Si ndihesh ti që djali del në protestë?
Luiza: Unë kam qenë pro, por sinqerisht jam trembur këto ditë. Unë e di se çfarë fëmije kam, por edhe t’i thuash fëmijës mos dil, nuk e di. Është një tmerr kjo që po shikojmë, nuk po dimë më asgjë.
Fjodora Fjora: Një nga thirrjet më të shpeshta është që të mos i lënë fëmijët të dalin në protestë?
Luiza: Unë vetëm se e di çfarë fëmije kam rritur.
Fjodora Fjora: Është djalë i dëgjuar?
Luiza: Vetëm për atë po e lë, se kam besim.
Fjodora Fjora: Është i dëgjuar?
Luiza: Shumë. Vetëm nga kjo më ka bërë ta lëshoj.
Emanueli: Unë jam ekselent, edhe pse bursën e vitit të dytë nuk e mora dot për shkak të angazhimit në protestë.
Fjodora Fjora: Vetëm pse u angazhove në protestë?
Emanueli: Edhe sot kryeministri e tha që do të ndërpresë bursat për ata që dalin në protestë. Këtë e ka bërë dhe më parë.
Fjodora Fjora: Kur të ka trembur më shumë?
Luiza: Të shtunën, kur e kanë marrë.
Emanueli: Jo, nuk më morën, për fat të mirë. Unë, me një grup të rinjsh, po marshonim. Aty, te Ushtari i Panjohur, zbritën nga furgonat efektivët e forcave Shqiponja dhe na kontrolluan. Dy prej nesh i morën. Në momentin e marshimit ne kemi qenë paqësorë.


