Alarm nga Freedom House, pushteti në Serbi godet protestat e organizuara në rrjetet sociale

Përpjekjet e qeverive autoritare për t’ua kufizuar qytetarëve qasjen në internet, keqpërdorimi i ligjeve për përdorimin e tij dhe përmbajtjet e gjeneruara nga inteligjenca artificiale kanë krijuar pengesa të reja për lirinë e shprehjes dhe qasjen në informacion.
Ky është përfundimi i raportit të ri të organizatës Freedom House, i cili konstaton se liria në internet në mbarë botën ka shënuar rënie për të gjashtëmbëdhjetin vit me radhë.
Në këtë kontekst përmendet edhe Serbia. Raporti rikujton protestat kundër Qeverisë, të udhëhequra nga studentët, të cilat shpërthyen pas shembjes së strehës prej betoni në një stacion hekurudhor më 2024, kur humbën jetën 16 njerëz.
“Pushteti i shtypi ashpër protestat, shumë prej të cilave u organizuan me ndihmën e mjeteve digjitale”, thuhet në raport.
“Regjimet autoritare po e shndërrojnë internetin në një sistem kontrolli, duke vendosur se kush mund të lidhet, çfarë mund të shohë dhe nëse zëri i tij mund të dëgjohet”, tha ai.
“Diktatorët po investojnë për t’i mbajtur njerëzit jashtë rrjetit. Ne duhet të investojmë që censura të dështojë”, theksoi ai.
Drejtori ekzekutiv i Freedom House, Jamie Fly, vuri në pah se “aktorët autoritarë tashmë po e përdorin inteligjencën artificiale si armë”.
“Duhet të sigurohemi që aktivistët në vijën e parë dhe avokuesit për të drejtat e njeriut të kenë qasje në teknologjitë më të avancuara, në mënyrë që t’u kundërvihen këtyre kërcënimeve dhe ta përshpejtojnë përhapjen e lirisë në shoqëritë represive”, shtoi ai.
Freedom House konstaton në raport se, gjatë vitit të kaluar, njerëzit në mbarë botën përdorën mjete digjitale për t’u mobilizuar dhe për të organizuar protesta kundër qeverive.
Në raport nuk përmenden vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë, e cila e ruajti statusin e vendit “pjesërisht të lirë” sa i përket lirisë në internet.
Serbia është në këtë kategori që nga viti 2024. Në atë kohë vlerësohej si vend “i lirë”.
Më pak liri në pothuajse gjysmën e vendeve të analizuara
Gjendja e lirive në hapësirën digjitale u përkeqësua në 16 nga 38 vendet e analizuara në raport.
Irani shënoi rënien më të madhe, duke iu bashkuar Kinës dhe Mianmarit si vendet me kushtet më të këqija për lirinë në internet.
Ad
Rënie të ndjeshme shënuan edhe Jordania dhe Nigeria, ndërsa Gjeorgjia kaloi nga kategoria e vendeve “të lira” në atë të vendeve “pjesërisht të lira”.
Freedom House e shpjegon këtë me faktin se autoritetet vazhduan ta shtypnin aktivizmin në internet dhe shprehjen e qëndrimeve që i konsideronin kritike ndaj partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.
Përmirësim u shënua në tetë vende.
Bangladeshi, për të dytin vit radhazi, shënoi përparimin më të madh, pasi ndërmori reforma pas rrëzimit nga pushteti të Sheikh Hasinës, sundimi dhjetëvjeçar i së cilës u karakterizua nga censura dhe mbikëqyrja e përhapur.
Gambia vazhdoi të shënonte përparim gradual në fushën e lirisë në internet, pasi udhëheqësi represiv Yahya Jammeh u largua nga pushteti pothuajse një dekadë më parë.
Ndërkaq, vetëm nëntë vende konsiderohen të lira.
Gjatë periudhës së analizuar, Estonia ishte vendi me mjedisin më të lirë në internet.
Irani: “Censurë ekstreme në internet”
Raporti thekson se autoritetet iraniane në janar “shtypën brutalisht lëvizjen protestuese kundër Qeverisë” në Iran, e cila u organizua pjesërisht edhe përmes rrjeteve sociale.
Në të rikujtohet se, në përgjigje të protestave, autoritetet iraniane “vranë mijëra njerëz”.
“Rreth 50.000 njerëz u burgosën, përfshirë edhe ata që në rrjetet sociale vetëm i kritikuan autoritetet ose shprehën mbështetje për protestuesit”, thuhet në raport, shkruan REL.


