Zjarret në vend, zv.ministrja e Mbrojtjes nga Ksamili: Para përgjegjësisë penale të gjithë ata që dëmtojnë natyrën

Efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes janë angazhuar këto ditë përkrah pushtetit vendor për shuarjen e vatrave të zjarreve në zona të ndryshme të vendit.
Pas gati 8 orësh në betejë me flakët u arrit që të izolohej vatra në kodrat e Ksamilit.
Operacioni u ndoq nga zv.ministrja e Mbrojtjes Dallëndyshe Bici, e cila në përfundim inspektoi terrenin, dhe përgëzoi efektivët e DMR Gjirokastër dhe forcat zjarrfikëse, për punën e palodhur.
“Një falenderim shkon, jo vetëm për forcat operacionale, efektivët e Ksamilit, por për të gjithë efektivët e Shqipërisë, të cilët janë duke shuajtur varta të tjera zjarri. Edhe një herë treguat që me punën dhe përkushtimin tuaj të arrijmë që të mos kemi pasoja”, u shpreh zv.ministrja e Mbrojtjes.
Ndërkaq ajo paralajmëroi të gjithë zjarrvënësit që, me qëllim ose jo, dëmtojnë natyrën.
“Unë do të kisha një thirrje për të gjithë banorët e Ksamilit, pushuesit, të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm me veprimet e tyre dhe siguroj që kushdo që me veprimet e tij rrezikon të shkatërrojë natyrën e bukur që na ka falur Zoti do të vihet para përgjegjësisë penale.
Ministria e Mbrojtjes, Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të gjitha strukturat e tjera përgjegjëse do të jenë në krye të detyrës për çdo situatë emergjente, që mund të na paraqitet, duke patur parasysh se jemi në stinën e verës dhe temperaturat e larta janë në disfavorin tonë”, theksoi zv.ministrja e Mbrojtjes.


