Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës: Nis puna nga Kashari, ARRSH njofton si do devijohet qarkullimi

Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës, korridorit nevralgjik të ekonomisë shqiptare ka hyrë në një fazë të re punimesh. Pas rehabilitimit të dy lotëve të parë, puna do të nisë nga mbikalimi i ri i Kasharit, për në drejtim të Durrësit.
“Janë Marrë të gjitha masat me Policinë e Shtetit dhe autoritet lokale që mos ketë bllokim të qarkullim, por devijim dhe kufizim të shpejtësisë”, tha Gëzim Noni, përgjegjës i menaxhimit të kontratave, ARRSH.
Me qëllim montimin e trarëve metalikë, të premten dhe të shtunën nga ora 23:00 e mbrëmjes e deri në 5 të mëngjesit, automjetet që do të lëvizin në drejtim të Durrësit do të devijohen në dy korsitë e anës së majtë të autostradës. Ndërkohë, mjetet që kanë destinacion Aeroportin do të vijojnë lëvizjen pa pengesa.
“Veç zgjerimit po punohet edhe për përmirësimin e cilësisë së shtresës asfaltike me qëllim plotësimin e standardeve të nevojshme”, tha Noni.
Aksi Tiranë–Durrës është ndër zonat më të industrializuara të vendit dhe për më tepër me krijimin e nyjës së Kasharit, që në fakt kthehet në “kërthizën” e Shqipërisë. Zgjerimi i saj është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore në vend, me kosto 218 milionë euro.
“Shpejtësia e lëvizjes do të jetë 130 kilometër në orë pas përfundimit të punimeve. Impenjimi është maksimal që të ecim sa më shpejt për përmbylljen e punimeve”, tha Noni.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet gjatë kohës së ndërhyrjes.


