Zbulohen sekretet shtetërore që ish-deputeti Jurgis Çyrbja i shiti tek Altin Hajri, çfarë iu sekuestrua në banesë

Zbulohet përse ish-deputeti socialist Jurgis Çyrbja akuzohet për kryerjen e veprës penale “Tregtimi i sekretit hetimor nga shtetasit”.
Sipas informacioneve, ish deputeti ka marrë dijeni për urdhër arrestin ndaj Altin Hajrit dhe ia ka bërë me dije atij.
Ai është interesuar në polici, në Interpol Tirana dhe është vënë në dijeni për masën e sigurisë që ka dal nga GJKKO ndaj Hajrit, për të vënë në dijeni këtë të fundit.
Pas kësaj, Çyrbja e ka informuar Hajrin edhe për operacionet e policisë që do zhvilloheshin për kapjen e tij, në kuadër të rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës.
Urdhër arresti u lëshua nga prokurori Adnan Xholi ndërsa verifikimi i masës së sigurisë do të bëhet të martën në orën 10.00.
Ndërkaq Prokuroria e Posaçme ka zbardhur dhe akuzat e plota ndaj Jurgi Çyrbjes, Altin Hajrit dhe Ahmet Mashas.
NJOFTIMI I PLOTË I SPAK
Prokuroria e Posaçme, mbi bazën e referimit të bërë më datë 15.10.2024 nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, në të njëjtën datë, ka proceduar me ndarjen e akteve të procedimit penal Nr. 93 të vitit 2023 dhe regjistrimin e procedimit penal Nr. 93/1 të vitit 2024, si dhe vijimin e hetimeve për konsumimin e elementëve të veprave penale të mëposhtme:
i. “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, kryer më tepër se një herë, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal, pa autor.
ii. “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” kryer nga shtetasi J. Ç. më tepër se një herë (sipas episodeve respektive), parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal.
iii. “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer nga shtetasi J. Ç., më tepër se një herë (sipas episodeve respektive), parashikuar nga nenet 302/1/2 të Kodit Penal.
iv. “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim nga shtetasit J.Ç., dhe A. M., parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.
v. “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në bashkëpunim nga shtetasit J. Ç., dhe A.M., parashikuar nga nenet 302/1 dhe 25 të Kodit Penal.
vi. “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, kryer nga shtetasi J. Ç. parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, si dhe
vii. “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, kryer nga shtetasi A. H. parashikuar nga neni 328/b i Kodit Penal.
Këto hetime janë realizuar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet evropiane të drejtësisë dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Për interesa të këtij procedimi penal, ndër provat e tjera, janë administruar edhe aktet e dërguara nga autoritetet franceze të drejtësisë, në kuadër të ndihmës së ndërsjelltë juridike në fushën penale dhe ka rezultuar se personat e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm kriminal kanë komunikuar ndërmjet tyre edhe me anë të aplikacionit të enkriptuar “Sky Ecc”.
Nga analiza e akteve të administruara deri në këto momente, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se, funksionarë publik (të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit), në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës në 7(shtatë) raste, kanë zbuluar akte të cilat ligji i përcakton si sekret shtetëror, pasi me përmbajtjen e tyre rezulton se është vënë në dijeni personi nën hetim J.Ç., duke konsumuar elementët e veprës penale “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”, parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal, pa autor.
Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se aktet sekrete me anën e të cilave është vënë në dijeni personi nën hetim J.Ç., konfirmonin faktin se bashkëbiseduesit e aplikacionit të enkriptuar “Sky ECC” ishin persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe ky informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror, i është transmetuar pikërisht personave të shpallur në kërkim.
Gjithashtu, personi nën hetim J.Ç., është vënë në dijeni edhe të disa planeve operacionale të Policisë së Shtetit, lidhur me kontrollet që do zhvilloheshin në zonën e Durrësit, me qëllim për të kapur personat e shpallur në kërkim dhe ky informacion rreth përmbajtjes së dokumenteve dhe akteve që sipas ligjit përbëjnë sekret shtetëror u është transmetuar personave të shpallur në kërkim, si drejtëpërdrejtë prej tij, ashtu edhe përmes angazhimit të personit tjetër nën hetim A.M., me qëllim për të mundësuar njoftimi i personave të shpallur në kërkim, duke konsumuar elementët e veprës penale “Tregimi i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 295/1 dhe 25 të Kodit Penal.


