Plagoset biznesmeni Arian Gjeloshi, vritet ekonomisti, RENEA zbarkon në Kurbin

Zbardhet identiteti i pronarit të firmës ku ndodhi krimi i rëndë, i cili mbeti i plagosur, ndërkohë ekonomisti i tij humbi jetën.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e një firme ku përpunohen inerte, ku në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë 70-vjeçari Selman Mihana, i cili ishte ekonomisti i firmës, ndërsa i plagosur eshte pronari i firmës 51 vjeç Ardian Gjeloshi i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmën mjekësore.
NJOFTIMI I POLICISE
Rreth orës 07:00, është marrë njoftim se në fshatin Gurez, Kurbin, në ambientet e një firme ku përpunohen inerte, në rrethana ende të paqarta është vrarë me armë zjarri shtetasi S. M, rreth 70 vjec, ekonomist i firmës, si dhe është plagosur pronari shtetasi A. GJ, rreth 51 vjec, i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë Vendore kanë shkuar në vendngjarje, është rrethuar zona dhe vijon kontrolli i territorit.
Ndërkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Në ndihmë të Policisë vendore kanë shkuar forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Forcat Speciale Renea. Në një moment të dytë do të ketë njoftim më të plotë në lidhje me ngjarjen.


