Vrau bashkë me të vëllanë Eduart Reçin, kush është oficeri i policisë që mori pjesë në krim

Efektivi Shkëlqim Duka i dyshuar si autor i vrasjes së biznesmenit Eduart Reçi, mësohet se është Oficer i Policisë Gjyqësore në Komisariatin nr.2 në Tiranë.
Dy vëllezërit që akuzohen se vranë biznesmenin e ndërtimit Eduart Reçi, ranë sot në prangat e policisë. Eduart Reçi u ekzekutua me një plumb pranë Rrugës së Elbasanit mbrëmjen e 13 nëntorit.
Të arrestuarit janë Shkëlqim Duka 48 vjeç dhe Florjan Duka, 45 vjeç, të dy banues në Tiranë. Në njoftimin zyrtar të policisë së Tiranës thuhet se Shkëlqim Duka është oficer policie.
Dy vëllezërit akuzohen për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Policia bën me dije se në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike, të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.


