Vrasja e efektivit të “Shqiponjave” në Fier, Prokuroria ngre 2 akuza për Azgan Mërnicën
Prokuroria e Fierit ka nisur procedim penal për autorin 23 vjeçar, Azgan Mërnica që vrau efektivin e “Shqiponjave” Novruz Cenalia, mesditën e së hënës.
Kujtojmë se autori i krimit, Mërnica është ende në arrati, ndërsa prokuroria ka ngritur 2 akt akuza ndaj tij, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”
Me qëllim vënien e autorit të dyshuar para përgjegjësisë penale, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit po vijojnë në mënyrë të pandërprerë dhe intensive kërkimet për gjetjen e autorit të krimit, 23 vjeçarit Azgan Mërnica.
Gjithashtu, bëhet e ditur se policia gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, po kryen veprime procedurale me qëllim evidentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.
Kujtojmë se ditën e sotme, u zhvillua ceremonia e varrimit për efektivin e policisë, Novruz Cenalia në teatrin "Bylis", në Fier, i cili u përcoll për në banesën e fundit nga miq, shkokë dhe kolegë të pikëlluar për humbjen e parakohshme të tij.
Efektivi i “Shqiponjave”, Novruz Cenalia mbeti i vdekur mesditën e së hënës në fshatin Baltëz të Fierit, pasi u qëllua me plumb në kokë nga 23 vjeçari, Azgan Mërncia. Sipas policisë, sherri midis tyre ka nisur për arsye banale, kalim në rrugë, i cili pastaj ka agravuar në përdorimin e armës nga Mërnica.