Vrasja e Bardhok Pllanajt, gazetarja: Policisë iu deshën orë për të mbledhur gëzhojat

Gazetarja Emi Kalaja, tregoi në një lidhje direkte me “Opinion” situatën në Shkodër pas ekzekutimit mbrëmjen e së dielës të Bardhok Pllanajt.
Kalaja u shpreh se autoritetet në Shkodër dyshojnë se ekzekutorët janë vrasës me pagesë, pasi gëzhoja të shumta u gjetën në vendngjarje, për mbledhjen e të cilave sipas saj, policisë iu deshën orë të tëra.

“Duke qenë se pikërisht Pllanaj, nuk dihej nëse kishte konflikte, të paktën nuk ka patur një konflikt që ka qenë i njohur në qytet, ndaj edhe mbeten enigmë atentatorët, ekzekutuesit, të cilët deri më tani, pista është që mund të kenë qenë vrasës me pagesë. Prokuroria e Shkodrës mendon dhe nuk janë low cost, janë në një çmim mendohet shumë të lartë.
Iu është dashur shumë orë policisë së Shkodrës për të mbledhur gëzhojat. Mjafton të bëhet kjo skemë dhe kuptohet sesa e mirëmenduar dhe e mirëorganizuar ka qenë ngjarja. Është ndjekur në momentin që ka dalë nga banesa. Ne kemi qenë në vendin e ngjarjes dhe kemi parë gëzhojat përgjatë gjithë rrugës.
Është qëlluar paralelisht, më pas ai ka humbur kontrollin e automjetit dhe është përplasur në një shtyllë të ndriçimit dhe më pas në momentin që shihet në video, makina është rrokullisur dhe ka dalë frontale. Sërish autorët e kanë ndjekur dhe e kanë qëlluar, kanë vijuar ta qëllojnë për t’u siguruar që e kishin eliminuar. Kjo është një formë që kryesisht ndjekin vrasësit me pagesë, që duhet medoemos që porosia të kryhet.
Më pas në një distancë rreth 250 metër është gjetur automjeti Volkswagen passat me targa italiane me dy armët kallashnikov brenda. Duket sikur çdo gjë ka qenë e përgatitur. Nuk është hera e parë që ne i shohim ngjarje të tilla, megjithatë, është një ndër vrasjet më të rënda që kanë ndodhur në qytetin e Shkodrës”./tvklan


