Vodhi shtëpinë e ministres belge/ Jepet pretenca për shqiptarin, ja çfarë kërkoi Prokuroria

Aktualitet

Vodhi shtëpinë e ministres belge/ Jepet pretenca për shqiptarin,

Një shqiptar rrezikon një vit burg dhe një gjobë prej 1.600 eurosh, sepse në vitin 2023 u fut me forcë në shtëpinë e ministres flamande Zuhal Demir në Genk të Belgjikës.

Ai u identifikua falë gjurmëve të ADN-së të gjetura në një ‘derrkuc kursimesh’

Nga Shauni Deferm, HBVL

Më 7 janar 2023, ministrja flamande, Zuhal Demir, pati vizitë të padëshiruar në banesën e saj në Genk. Një shqiptar kishte kaluar mbi rrethimin dhe ishte futur brenda përmes një dritareje.

“Ai e kontrolloi gjithë shtëpinë dhe vodhi pesëdhjetë euro nga një ‘derrkuc kursimesh’”, tha prokurori të hënën në mëngjes gjatë shqyrtimit të çështjes në gjykatën e Tongerenit.

Hetuesit arritën ta lidhin personin në fjalë me ngjarjen përmes gjurmëve të ADN-së.

Ai më herët ishte dënuar gjithashtu për vepra të ngjashme që i kishte kryer në janar dhe shkurt 2024. Për to, ai kishte marrë tashmë tre vjet burg. Përveç kësaj, ai është i njohur edhe nga autoritetet në Gjermani dhe Spanjë.

Prokurori i Tongerenit kërkon për thyerjen e shtëpisë së Demirit një dënim prej një vit burg dhe një gjobë prej 1.600 euro.

“Kur dikush vjedh me thyerje në shtëpinë tënde, kjo cenon në mënyrë të jashtëzakonshme ndjesinë e sigurisë”, deklaroi prokurori.

Shqiptari u lirua muajin e kaluar me kushte dhe ndërkohë u kthye në Shqipëri. Për shkak se ai ka një ndalim hyrjeje në Evropë, ai nuk ishte i pranishëm në gjykatë të hënën gjatë shqyrtimit të dosjes.

Avokatja e tij kërkon një deklarim të thjeshtë fajësie ose shkrirjen e dënimit me atë të mëparshmin, duke qenë se bëhet fjalë për vepra të ngjashme. Ajo foli gjithashtu për tejkalimin e afatit të arsyeshëm.

“Ai ka ardhur nga Shqipëria në Belgjikë si bojaxhi, në kërkim të mundësive për punësim. Ky plan dështoi, por këtu ai ka njohur shoqëri të keqe që e ka shtyrë të kryejë vjedhjet. Ndërkohë, ai e ka rregulluar jetën e tij sërish në Shqipëri. Jeton me familjen dhe punon. Nuk është në interesin e askujt që ai të sillet nga Shqipëria përsëri në Belgjikë për një dënim shtesë me burg”, u shpreh ajo.

Demir nuk u paraqit si palë civile. Vendimi do të jepet më 5 janar.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion