Vodhën motomjete elektrike, kapet 38-vjeçari në Lushnjë! Në kërkim bashkëpunëtori i tij!

Një person është arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në Lushnjë pasi akuzohen për vjedhje të 4 motomjete elektrike dhe sende të tjera.
Mësphet se në pranga ka rënë 38-vjeçari me inicialet E.P., ndërsa në kërkim bashkëpunëtori O.D., 34-vjeç.
Njoftimi i plotë:
Lushnjë/Veprime hetimore për zbardhjen e vjedhjeve, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tyre. Vodhën gjatë natës 4 motomjete elektrike dhe sende të tjera në një biznes në Savër, vihet në pranga njëri prej autorëve, shpallet në kërkim autori tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë, pas kallëzimit nga shtetasi I. S., se në biznesin e tij në lagjen "Savër", i kishin vjedhur sende të ndryshme, gjatë natës, kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen e vjedhjes dhe identifikimin e autorëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, është bërë e mundur identifikimi i autorëve.
Në vijim të veprimeve operacionale u bë e mundur kapja e njërit prej tyre, shtetasit E. P., 38 vjeç, banues në Pirrë, si edhe u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi O. D., 34 vjeç, banues në Lushnjë. Po punohet për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të 34-vjeçarit. Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.


