Vlora i jep lamtumirën gazetarit Enrik Mehmeti, sot homazhe në Teatrin “Petro Marko”

Aktualitet

Vlora i jep lamtumirën gazetarit Enrik Mehmeti, sot homazhe në Teatrin

Qyteti i Vlorës dhe komuniteti i gazetarëve do t’i japin sot lamtumirën e fundit gazetarit Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën tragjikisht në moshën 40-vjeçare pas një aksidenti me motor në zonën e Porto-Novës.

Homazhet në nderim të tij do të zhvillohen nga ora 12:00 deri në 14:00 në Teatrin “Petro Marko” në Vlorë. Më pas, në orën 14:00, familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë do ta përcjellin për në banesën e fundit.

Enrik Mehmeti ishte një nga gazetarët më të njohur në Vlorë, me një karrierë mbi 20-vjeçare në median e shkruar dhe televizive. Ai iu bashkua News24 që në fillimet e televizionit, duke raportuar me profesionalizëm për ngjarjet më të rëndësishme të qytetit, nga kronika e zezë te operacionet policore, problematikat sociale dhe zhvillimet në turizëm.

Pasioni i tij për gazetarinë lindi që në moshë të vogël. Gjatë trazirave të vitit 1997, vetëm 11 vjeç, ai shërbeu si përkthyes në kampin misionar “Alba”, përvojë që, siç kishte treguar vetë, e bindi se gazetaria do të ishte misioni i jetës së tij.

Përveç punës në mediat shqiptare, Mehmeti bashkëpunoi edhe si korrespondent për televizionin italian Rai, duke raportuar drejtpërdrejt nga Shqipëria.

ME TE LEXUARAT