Vlora e pushtuar nga zjarret, Leli në terren: Helikopteri po stabilizon situatën

Edhe kreut të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i janë dashur ditë të tëra për të pasur një reagim për zjarret që kanë pushtuar kryesisht Dukatin, Tragjasin dhe Karaburun.
Leli është shprehur nga Dukati se mbërritja e helikopterit të Forcave të Armatosura ka filluar të stabilizojë gradualisht situatën.
"Nga Dukati, po shohim këtë mëngjes një dritë shprese që njësoj si për natyrën vlen edhe për sakrificën e atyre dhjetëra djemve të Zjarrfikëses, Ushtrisë, përfaqësuesve të Zonave të Mbrojtura dhe Bashkisë Vlorë.
Mbërritja e helikopterit të Forcave të Armatosura, për të ndërhyrë në fikjen e zjarreve nga ajri, ka filluar të stabilizojë gradualisht gjendjen e rënduar që përfshiu Karaburunin në ditët më të nxehta të korrikut", ka shkruar Leli, teksa ka postuar edhe foto në rrjetet sociale.

