VIDEO/ Policia e Korçës, me dorë të fortë, 759 gjoba dhe tre procedime penale në një javë

Aktualitet

VIDEO/ Policia e Korçës, me dorë të fortë, 759 gjoba

Policia Rrugore e Korçës ka intensifikuar monitorimin në të gjitha akset rrugore të qarkut, me përdorimin e pajisjeve inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.

Gjatë një jave, si rezultat i kontrolleve, janë proceduar penalisht 3 drejtues mjetesh për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ndërkohë, gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 759 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Nga kontrollet janë evidentuar 127 raste të parakalimeve të gabuara, 274 raste të ndalimit të gabuar të mjeteve dhe 32 raste të mosvendosjes së kaskës mbrojtëse.

Policia Rrugore ka vendosur gjithashtu 3 masa për drejtim të mjetit nën efektin e alkoolit, 27 për mosvendosjen e rripit të sigurimit, 42 për mosrespektimin e këmbësorëve në vijat e bardha dhe 4 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.

Gjithashtu, janë vendosur dy masa për përdorimin e xhamave të errësuar dhe 248 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Korçës njoftoi se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, duke përdorur mjetet bashkëkohore logjistike në funksion të rritjes së sigurisë rrugore.

Policia u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve.

Qytetarët ftohen të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

ME TE LEXUARAT