Veliaj flet si rrallehere: Në kuzhinë jam zdroms, di të përdor vetëm mikrovalën

Në intervistën e 31 pyetjeve në “Rudina”, Erion Veliaj foli mbi dhuratën e tij të preferuar, ëmbëlsirën, kujtime nga fëmijëria, por edhe çaste të përditshmërisë.
Këtu përfshihet edhe shprehja fyese më e përdorur prej tij dhe që u bë edhe virale në internet. “Zdroms” është fjala më e pahijshme e përdorur nga kryetari i bashkisë, por ai shton se ka një shpjegim për këtë.
Rudina Magjistari: Fjala jo e hijshme që përdor më shpesh Erion Veliaj?
Erion Veliaj: Zdroms. Por duhet ta sqaroj.
Rudina Magjistari: Ka fituar legjitimitet.
Erion Veliaj: Duhet ta sqaroj, se në fakt unë nuk kam asnjë kompleks me gjërat që them, por duhet ta sqaroj se në fakt e përdora për veten time.
Shumë veta nuk e dinë, por kur ishim prapë fëmijë, ajo koha e farës së kosit dhe e tollonave, ishin ato kopacat, ato komçat e mëdha që ti pavarësisht se e ke shënjestrën drejt, merr shtrembër se nuk është perfekt, i ka buzët e shtrembëra dhe merr një kthesë.
I referohet dikujt që qëllimin e ka të mirë, por nuk… fjala vjen dhe konteksti, më duket ka qenë në një intervistë me Dojnën, ishte që unë jam zdroms në kuzhinë në sensin që di të përdor vetëm mikrovalën dhe nuk më jepet, në sensin nga këta që mburren unë di t’i bëj të gjitha, unë o vëlla nuk më jepet, nuk di t’i bëj të gjitha.
Ato që s’di t’i bëj, them që jam zdroms.