Vdekja e Fadil Tuzit në Tiranë/ Motra kërkon zbardhjen e ngjarjes, ngre dyshime për vrasje

Aktualitet

Vdekja e Fadil Tuzit në Tiranë/ Motra kërkon zbardhjen e

Në shtator 2025, në hyrje të një pallati të braktisur në zonën e Alliasit, në Tiranë u gjet i shtrirë përtokë Fadil Tuzi, 39 vjeç nga Shkodra, me dëmtime në pjesën e pasme të kokës. Ai qëndroi mbi 20 ditë në Spitalin e Traumës dhe më pas ndërroi jetë.

Motra e tij, Esmeralda Koçi kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke dyshuar se vëllai është vrarë. Sipas saj, një person me të cilin viktima shoqërohej dhe një lidhje paralele e të dashurës së tij, mund të jenë shkak i ngjarjes.

“Vëllai ishte 39 vjeç, punonte ku t’i dilte, herë me punë dhe herë pa punë, si të gjithë. Është gjetur përtokë, nuk e di se kush i ka rënë. Vëllai kishte diku te tre vjet që jetonte këtu, kurse në Tiranë ka vëllai mbi 20 e ca vjet që jeton. Nuk më ka shprehur asnjë lloj gjëje dhe asnjë lloj shqetësimi. Unë dyshoj 100% që është një vrasje. Vëllai ka pasur një lidhje me një vajzë më herët. Mendoj se autori i vrasjes dhe vajza janë të lidhur”, thotë motra e viktimës.

Një dëshmitare deklaron, se e gjeti viktimën rreth orës 08:15 të gjakosur dhe se e kishte parë pak ditë më parë në shoqërinë e një gruaje.

“E pashë para dy ditëve, e pashë edhe një ditë tjetër, më përshëndeti. Unë punoj me turne te Spitali në QSUT, por vija nga turni i tretë dhe kur vij këtu shikoj një njeri të shtrirë te shkalla. Mu duk pak me gjak, por nuk e vura shumë re, mendova se po flinte. Ai pinte, disa herë e kam parë që vinte i shoqëruar me vajzë. Atë ditë që më foli mua ‘si je’, ishte me një grua. Këtu janë shpërthyer dyert, kush nuk hyn e kush nuk del, palë-palë. Vinë këtu persona të ndryshëm, ata që konsumojnë lëndë narkotike”, thotë për mikrofonin e “Stop” dëshmitarja.

Esmeralda Koçi shton se vëllai natën e ngjarjes është parë duke konsumuar një kafe në lokal te “Rruga e Dibrës”, e më pas ka iku në një tjetër lokal, i cili sot çuditërisht ka ulur qepenat. Ajo dyshon se personat që e kishin këtë lokal janë autorë, ndërkohë që vajza për të cilët flitej se shoqërohej viktima ka qenë kamariere. Më tej ajo pretendon se ekzistojnë pamje video, ku shfaqen personat e dyshuar, ndërsa policia konfirmon mungesën e kamerave funksionale në zonë.

“Po s’ka kamera aty, se kemi bërë procedurë për atë pjesë. Një, që është në kat të pestë, nuk funksion, se ai i zoti i shtëpisë, e kishte shitur shtëpinë dhe e kishte marrë me gjithë DVR. Nuk ka në rrugicë, se ne kemi pasur ngjarje plot aty dhe nuk i vënë, se i kemi bezdisur me kamera aty dhe i kanë hequr fare ato. Asnjë gjë deri tani”, thotë OPGJ.

Për shkak të sekretit hetimor, Prokuroria e Tiranës jep pak detaje, por konfirmon se çështja po hetohet për vrasje me dashje, ndërsa familja kërkon hetim të plotë të të gjithë personave që kanë pasur kontaktet e fundit me viktimën.

/Emisioni STOP

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion