U vu në pranga me urdhër të SPAK, sot seanca ndaj Erion Veliajt dhe bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa

Ditën e sotme, që prej orës 08.30 do të nisë në Gjykatën e Posaçme rivlerësimi i masës së sigurimit personal dhënë për 8 të pandehurit e dosjes, ku janë të vënë në pranga edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe biznesmeni Elman Albule.
Bashkë me ta në gjykatë do të jenë edhe 5 biznesmenë shqiptarë, të cilët sipas dosjes, kanë bashkëpunuar në kryerjen e veprave penale nga ana e kreut të Bashkisë.
Po ashtu, në GJKKO do të paraqitet edhe bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa, e cila është lënë në masë sigurimi paraprak “arrest shtëpie”.
Në lidhje me këtë grup që kanë bashkëpunuar në korrupsion dhe pastrim arash, mësohet se është vënë nën hetim dhe deputetja e Partisë Socialiste, njëherësh kryetare e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, për të cilën është ngritur një akuzë e veçantë prej pjesës tjetër.
Veliaj, akuza prokurorit të çështjes: Sajime nga një individ pervers
Në pritje të vlerësimit të masës së sigurisë, nga ambientet e bllokut të sigurisë ku po qëndron i izoluar prej së hënës, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj reagoi edhe dje lidhur me situatën në të cilën është përfshirë dhe akuzat e ngritura nga SPAK.
Në një mesazh në rrjetet sociale, Veliaj u rrëfye se e ka kaluar natën e parë në qeli pa gjumë, i shkëputur nga familja dhe djali i tij. Ai akuzoi prokurorin e çështjes për fabrikim të provave dhe për një qasje të njëanshme ndaj tij dhe bashkëshortes. Veliaj tregon së pari përjetimet e 20 orëve të para në paraburgim.
“Natën e parë në qeli, i marrë forcërisht larg familjes dhe me idenë që sot në mëngjes im bir nuk do të shkonte në shkollë as me mua, as me të ëmën, e kam kaluar pa gjumë në sy. I vetmi ngushëllim ishte që nuk mund të shihja dhe as dëgjoja qenërinë, që me siguri më është vërsulur mbrëmë në studiot e kafshimeve dhe jargëve televizive”, – deklaroi kryebashkiaku i Tiranës.


