U hodh nga kati i dytë sa pa policët, vendoset masa e sigurisë për nënkomisarin Lelaj

Ish-nënkomisarit të policisë së Fierit, Festim Lelajt të cilit iu pre masa e arrestit në kuadër të operacionit “Shpirti”, i është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg” në ambientet e spitalit të Traumës.
Lelaj u hodh nga kati i dytë i banesës, sapo pa efektivët e policisë. Për pasojë, ai ka pësuar fraktura në këmbë, por pasi ka marrë ndihmën mjekësore në spital, është dërguar drejt Tiranës.
Gjykata Kundër Krimit dhe Korrupsionit të Organizuar (GJKKO) ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për 18 persona nga 28 të arrestuarit në kuadër të operacionit “Shpirti”.
Për 14 prej tyre, GJKKO ka lënë në fuqi masën “arrest me burg”. Ndërkohë prokurori Maskim Sota, drejtori i Policisë së Vlorës Ilirjan Balla dhe dy të arrestuarit e tjerë Abdyl Krasniqi dhe Luan Zylyftari janë lënë në arrest shtëpie.


