U dënua për falsifikim të dokumenteve, KPA pezullon hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit Luan Daci

Aktualitet

U dënua për falsifikim të dokumenteve, KPA pezullon hetimin
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pezulluar hetimin disiplinor ndaj anëtarit të KPA Luan Daci, për shkelje disiplinore.

Gjyqtari hetues i çështjes Ardian Hajdari, pasi kreu veprimet hetimore të domosdoshme në lidhjen me çështjen e gjyqtarit vendosi të pezullojë hetimin.

Kujtojmë që GJKKO vendosi dënimin e tij me 6 muaj burg dhe pezullimin për një vit pasi anëtari i KPA u konstatua të kishte kryer falsifikim të mosdeklarimit të një mase disiplinore në formularin e aplikimit për në institucionet e Vetingut.

Njoftimi:

Pas regjistrimit në regjistrin e Juridiksionit Disiplinor të çështjes (JD) nr.5/2021, datë 31.05.2021, me kërkues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe me objekt “Procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci”, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, më datë 01.06.2021, u hodh shorti për caktimin e gjyqtarit hetues dhe më pas, për caktimin e Komisionit Disiplinor dhe kryesuesin e komisionit që do të shqyrtojë çështjen (JD) nr. 5/2021, datë 31.05.2021.

Pas hedhjes së shortit, gjyqtari hetues i kësaj çështjeje u caktua gjyqtar Ardian Hajdari, ndërsa kryesuese e Komisionit Disiplinor u caktua gjyqtarja Natasha Mulaj dhe anëtare, gjyqtaret Albana Shtylla dhe Ina Rama.

Gjyqtari hetues i çështjes Ardian Hajdari, pasi kreu veprimet hetimore të domosdoshme në lidhjen me çështjen (JD) nr.5/2021, datë 31.05.2021, bazuar në nenin 128, paragrafi 2, germa “b” e Kushtetutës; nenin C, pika 16 e Aneksit të Kushtetutës; nenet 5, pika 3, germa “a”, dhe 17 të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë; nenin 1, pika 2 e ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, nenin 297, germa “a” e Kodit të Procedurës Civile, vendosi:

Pezullimin e hetimit disiplinor ndaj anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtarit Luan Daci, për shkelje disiplinore të parashikuar në nenin 128, pika 2, germa “b” e Kushtetutës, deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Lartë mbi ankimin e gjyqtarit Luan Daci, ndaj vendimit nr.5, datë 08.03.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2. Të njoftohet me këtë vendim gjyqtari nën hetim disiplinor Luan Daci, përfaqësuesit e ONM-së dhe Komisioni Disiplinor i ngritur pranë Kolegjit, për zhvillimin e procedimit disiplinor.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion