Tre ‘ushtarët’ e Talo Çelës ekstradohen nga Dubai, forcat speciale i marrin në aeroport!

Aktualitet

Tre ‘ushtarët’ e Talo Çelës ekstradohen nga Dubai,

Ervis Daka, Maksim Koçi dhe Ado Xhika, të akuzuar si anëtarë të organizatave kriminale të Suel Çelës apo Çopjave në Elbasan, u ekstraduan në Tiranë me pranga në duar.

Njoftimi eshte dhene nga policia e shtetit mesnaten e djeshme.

Autoritetet e Dubait gati 40 ditë pas arrestimit më 8 maj deportuan 3 të akuzuarit, iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Ardhja nga Dubai u bë tranzit nga Stambolli. Ata akuzohen për një sërë veprash të rënda kriminale, që nga prodhimi i armëve e deri te vrasja me paramendim.

Ervis Daka, 38 vjeç, akuzohet për tentativë vrasjeje, sigurim i kushteve për vrasje në dy atentate të rënda në dëm të Kei Pikut dhe Arjan Spahiut në vitin 2020. Në rastin e Pikut ishte informator për lëvizjet, ndërsa te Spahiu në Belgjikë siguroi kushtet për eliminim. Daka akuzohet se strehoi Talo Çelën në kërkim.

Njoftimi i policise:

Vijon bashkëpunimi shumë i ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të lokalizuar, kapur dhe ekstraduar shtetasit e shpallur në kërkim ndërkombëtar, që synojnë t’i fshihen drejtësisë shqiptare.

Ekstradohen nga Dubai në Shqipëri, 3 shtetas të akuzuar nga GjKKO-ja, si të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale kundër personit dhe si përkrahës të një shtetasi të shumëkërkuar.

3 shtetasit e ekstraduar u kapën disa javë më parë, nga Policia e Dubait, si rezultat i sigurimit dhe shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, nga struktura të specializuara të Policisë së Shtetit.

Në vijim të bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabit, në kuadër të operacionit ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, u finalizuan procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

-E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal;

-A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO-ja, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.

Të tre shtetasit e ekstraduar iu dorëzuan Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

ME TE LEXUARAT