Tragjedia me 7-vjeçaren në Drinin e Zi / Task-Forca në Dibër ngre alarmin për HEC-et: Stop hapjes së portateve pa njoftim!

Aktualitet

Tragjedia me 7-vjeçaren në Drinin e Zi / Task-Forca në

Pas mbytjes tragjike të një 7-vjeçareje në ujërat e Drinit të Zi, në Dibër është mbledhur Task-Forca për forcimin e masave të sigurisë përgjatë lumit.

Në qendër të takimit ishte rreziku që mund të krijohet nga shkarkimet e HEC-eve në territorin e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht nga hapja e portave të digave dhe rritja e menjëhershme e nivelit të ujit.

Një nga kërkesat kryesore të autoriteteve shqiptare është që pala e Maqedonisë së Veriut të japë njoftim paraprak për hapjen e portave të digës së Spiljes, në Dibër të Madhe.

Informacioni synohet të përcillet në kohë te strukturat shqiptare dhe banorët përgjatë Drinit të Zi, në mënyrë që të merren masat e nevojshme të sigurisë.

Prefekti i Dibrës, Nexhbedin Shehu, bëri me dije se koordinimi ndërkufitar është një nga pikat kryesore që do të kërkohet në vijim.

“Do të kërkojmë njoftim paraprak nga pala e Maqedonisë së Veriut për shkarkimet nga HEC-et dhe hapjen e portave të digave”, u shpreh Shehu.

Në takimin e Task-Forcës u diskutua edhe për forcimin e kapaciteteve të emergjencave. Në bashkitë Dibër dhe Bulqizë kërkohet shtimi dhe trajnimi i personelit zjarrfikës, ndërsa në akset rrugore që të çojnë drejt lumit pritet të vendosen tabela paralajmëruese.

Sinjalistika do të shërbejë për të informuar banorët dhe turistët për rrezikun nga rritja e menjëhershme e nivelit dhe shpejtësisë së rrjedhës së ujit.

Autoritetet kërkojnë gjithashtu që operatorët privatë që ushtrojnë aktivitet përgjatë Drinit të Zi të bëjnë publike oraret e hapjes së portave dhe çdo problematikë që lidhet me prurjet e lumit.

Masat marrin rëndësi edhe për shkak të rritjes së numrit të vizitorëve në zonat pranë lumit. Sipas autoriteteve, këtë vit numri i tyre është rritur me rreth 50 për qind krahasuar me një vit më parë.

Pas tragjedisë së 7-vjeçares, strukturat vendore synojnë të krijojnë një sistem më të qartë njoftimi dhe reagimi, në mënyrë që ndryshimet e menjëhershme të prurjeve të mos i gjejnë të papërgatitur banorët dhe vizitorët që ndodhen pranë Drinit të Zi.

 

ME TE LEXUARAT