Trafik i rënduar dhe kolona të gjata automjetesh në aksin Tiranë-Elbasan

Rruga kombëtare Tiranë–Rrethrrotullimi i Bradasheshit-Elbasan është përfshirë sërish nga fluksi i lartë i automjeteve, pasi shumë qytetarë i janë drejtuar qyteteve dhe zonave turistike të juglindjes së vendit.
Ky mbetet një prej segmenteve rrugore më të mbingarkuara gjatë sezonit veror.
Që në orët e para të pasdites së premte, qarkullimi është rënduar ndjeshëm, pasi shumë banorë të kryeqytetit kanë zgjedhur fundjavën për të udhëtuar drejt destinacioneve turistike të juglindjes, si Pogradeci, Korça, Prespa, Dardha, Voskopoja dhe zonat përreth.
Situata paraqitet më problematike në hyrje të Elbasanit dhe te rrethrrotullimi i Bradasheshit, aty ku ndërthuren disa akse rrugore dhe numri i mjeteve shtohet ndjeshëm.
Qindra automjete po lëvizin me ritëm tepër të ngadaltë dhe po përballen me pritje të gjata, ndërsa vargu i mjeteve është zgjatur për disa kilometra, duke sjellë vështirësi të mëdha për drejtuesit.
Në këtë ngarkesë kanë ndikuar jo vetëm turistët vendas, por edhe automjetet me emigrantë dhe vizitorë që ndodhen në Shqipëri gjatë këtij fillim sezoni veror.
Lëvizja “hap pas hapi” ka sjellë vonesa të shumta, ndërsa temperaturat e larta e kanë bërë edhe më të vështirë situatën për shoferët dhe pasagjerët, të cilët janë detyruar të qëndrojnë gjatë në trafik.


