Tiranë, 37-vjeçari ndalohet për përdorim celulari në timon, rezulton i kërkuar për mashtrime me pasoja të rënda në Spanjë

Një ndalim rutinë nga Policia Rrugore në zonën pranë stadiumit “Selman Stermasi” përfundoi me arrestimin e një të shumëkërkuari ndërkombëtarisht. 37-vjeçari me inicialet N.S. u kap duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit, por pas verifikimeve rezultoi se ai ishte subjekt i një urdhër-arresti nga autoritetet spanjolle.
Sipas Policisë së Shtetit, N.S. dyshohet si pjesë e një organizate kriminale në Spanjë dhe akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda. Gjykata e Seu de Urgell kishte caktuar ndaj tij masën “arrest në burg”.
Operacioni u zhvillua në kuadër të aksionit “The Wanted”, ndërsa arrestimi është bërë provizorisht në pritje të ekstradimit. Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet spanjolle për vijimin e procedurave ligjore.
Arrestimi i tij dëshmon se shpesh, një shkelje e vogël mund të çojë në zbardhjen e krimeve shumë më të mëdha. Procedurat për ekstradimin janë në proces.


