“Ti ke probleme me formimin”/ Gara për Prokurorin e Përgjithshëm fut në sherr anëtarët e KLP-së

Aktualitet

“Ti ke probleme me formimin”/ Gara për Prokurorin e

Gara për Prokurorin e ri të Përgjithshëm ka shkaktuar përplasje të forta në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. 

Një kërkesë e kandidatit Ylli Pjetërnikaj për përjashtimin e anëtarit Vatë Staka nga procedura e përzgjedhjes solli kërkesa të tjera për përjashtime mes vetë anëtarëve të KLP-së, ndërsa mbledhja përfundoi pa vendim.

Kërkesa e Pjetërnikajt është depozituar më 30 korrik dhe bazohet, sipas tij, në konflikt interesi të Vatë Stakës, por KLP ende nuk e ka shqyrtuar. Gjatë mbledhjes së së premtes, situata u komplikua kur Staka kërkoi përjashtimin e anëtarit Zeqir Hodo nga shqyrtimi i kërkesës së Pjetërnikajt.

Staka argumentoi se Hodo kishte pasur komunikime me Pjetërnikajn edhe pasi ky i fundit ishte larguar nga pozicioni i këshilltarit pranë KLP-së. Sipas tij, Pjetërnikaj i kishte dërguar Hodos në një email privat draftin e një rregulloreje të Këshillit.

Hodo kërkoi kohë për t’u shprehur për kërkesën e Stakës, ndërsa këmbënguli që kërkesa e Pjetërnikajt të lexohej e plotë në mbledhje dhe të bëhej e ditur për publikun.

Debati u përshkallëzua kur anëtari Sokol Stojani argumentoi se fillimisht duhej të shqyrtohej kërkesa e Stakës për Hodon dhe më pas ajo e Pjetërnikajt.

Pas këtij qëndrimi, Hodo kërkoi përjashtimin edhe të Stojanit, duke deklaruar se dyshonte në objektivitetin e tij.

Kështu, një kërkesë fillestare për përjashtimin e Stakës solli një zinxhir kërkesash mes anëtarëve: Staka kërkoi përjashtimin e Hodos, ndërsa Hodo atë të Stojanit.

Debati mes Hodos dhe Stojanit degradoi edhe në replika personale, me akuza për formimin dhe shkollimin e njëri-tjetrit. Në një moment, Stojani paralajmëroi se mund të kërkonte edhe përjashtimin e kryetares së KLP-së, Mirela Bogdani, pasi pretendoi se ajo kishte qeshur në mënyrë ironike gjatë diskutimit.

Situata solli reagimin e Ledina Rizës.

“Më vjen zor që jam në këtë tavolinë… të arrijë niveli i diskutimeve në të tilla banalitete nuk i takon kësaj tavoline”, tha ajo, duke kërkuar respekt për kandidatët dhe publikun.

Përplasjet vijnë ndërkohë që KLP është me vonesë në procedurën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Emrat e pesë kandidatëve nuk janë dërguar ende në ILDKPKI për verifikimin e pasurisë, ndërsa brenda javës së parë të dhjetorit duhet të ketë një emër të ri për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Në garë janë prokurori i SPAK Adnan Xholi, ish-Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, prokurorja pranë Eurojust Fatjona Memçaj dhe prokurorët e Tiranës Rovena Zoto dhe Ylli Pjetërnikaj.

KLP duhet të rendisë tre kandidatët më të kualifikuar dhe t’ia dërgojë listën Kuvendit për votim.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion